Të shtënat me armë dhe zjarri pranë Parlamentit të Serbisë, Vuçiç: Akt terrorist


Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka reaguar lidhur me incidentin e ndodhur paraditen e së mërkurës para Parlamentit të Serbisë ku një person mbeti i plagosur pas të shtënave me armë zjarri në një kamp tendash pro-qeveritare, të cilat më pas u përfshinë nga flakët.
Teksa ndodhej në një takim qeveritar, Vuçiç deklaroi se ishte i detyruar të largohej pasi një akt terrorist kishte ndodhur para Parlamentit të Serbisë, shkruajnë mediat serbe.
“Po flas si i pari dhe kërkoj ndjesë që do të më duhet të largohem nga ky takim i mrekullueshëm. Arsyeja është akti terrorist që ndodhi para Parlamentit serb, kështu që do të duhet të merrem me gjëra të tjera”, tha Presidenti i Serbisë.

Deputetja e opozitës, Marinika Tepić, nga Partia e Lirisë dhe Drejtësisë, deklaroi në platformën X (ish-Twitter): “Dikush qëlloi me armë zjarri dhe më pas u vuri flakën tendave”.

