×
Wednesday, August 10, 2022

“Të martat me Morin”

March 31, 2020

Duket se të martat për mua janë ditët e dedikuara për librin, ndaj dhe titulli i shkrimit të radhës në blog në fakt nuk është rastësi. “ Të martat me Morin” nga Mitch Albom është libri që sapo përfundova dhe çuditërisht sot është po e martë. Është një libër që do t’ia sugjeroja kujtdo, atyre që e kanë shumë të gjatë listën e librave që kanë lexuar, por edhe atyre që në këto ditë duan të lexojnë një libër të lehtë, por plot mesazh. Një libër për kuptimin e jetës por të treguar përmes një historie shumë të këndshme shoqërie mes një pedagogu dhe studentit të tij më të mirë, por njëkohësisht të ndrojtur dhe të ftohtë në raport me njerëzit që e rrethonin. Të tjerat po jua lë ti zbuloni vet.

Në ditët e para që virusi erdhi në vendin tonë ju ktheva leximit pas disa muajve pause, ku përdorja çdo arsye për tu justifikuar se nuk kisha kohë. Ndaj mendova që karantinën ta nisja me rikthimin tek miku i vjetër, tek libri. E nisa me ato librat rozë, sepse doja që rikthimi të ishte i butë dhe i ëmbël, plus që ato nuk ishin ditët e mia më të mira dhe nuk lidhej me karantinën. Ndaj zgjodha libra që të më rikthenin tek historitë e bukura, tek emocionet, tek dashuritë që triumfojnë ( ne gocat i kemi qejf gjithmonë librat me funde të lumtura). Ndërkohë ditën e fundit që patëm mundësi të dilnim për furnizime, tek ato të librit kërkova sugjerime nga një kolegu im, që me thënë të drejtën më vë në siklet me faktin që lexon çdo moment. I pari libër që më sugjeroi ishte “ Të martat me Morin” e duke u shprehur se unë kisha nevojë për një libër të tillë në këto ditë. E çuditshme sesi një koleg fjalëpak dhe që nuk shkëmbejmë shumë biseda arrin të kuptoj kaq mirë gjendjen tënde të brendshme. Në fakt ky libër më ndihmoj ta kaloj, siç më ndihmoi edhe ta shoh ndryshe këtë periudhë karantinimi. U fokusova më shumë tek vetja, tek gjërat që më bëjnë më të lumtur dhe më të qetë, por më e rëndësishmja tek njerëzit që janë përditë me mua sidomos në këtë periudhë.

Ndaj kam zgjedhur që të paktën një orë në ditë tja kushtoj leximit, si një formë për tu shkëputur pak nga rutina e këtyre ditëve, por edhe për të mbushur shpirtin dhe mendjen. Për mua nuk ka libra të mirë apo libra të këqinj, sepse besoj nga çdo libër ke diçka për të mësuar. Minimalisht libri të zgjeron shprehitë dhe gjuhën që teknologjia po na e varfëron gjithmonë e më shumë. E meqë jemi tek teknologjia edhe ajo mund t’ju ndihmojë shumë këto ditë me leximin. Nëse nuk doni/mundeni të dilni mund të zgjidhni të lexoni online ose nëse nuk jeni fort të dhënë pas leximit të librave mund të lexoni një sërë artikujsh mbi temat që juve ju interesojnë dhe jeni kurioz. E nëse para se të niste karantina ishit duke ndjekur ndonjë trajnim apo akademi, atëherë mund të përqëndroheni në leximin e artikujve mbi kurset që po zhvillonit, ose do të zhvilloni në të ardhmen, dhe të mbani shënime mbi ato që doni të diskutoni me kolegët tuaj. Në fakt këtë po bëjmë ne me disa koleg që ndjekim seminare të përbashkëta, kemi krijuar një drobox dhe aty kemi futur librat që janë të aksesueshëm elektronikisht dhe që do të na shërbejnë për seminarët në të ardhmen. Është një tjetër mënyrë socializimi online, por edhe ndëraktiviteti.
Pastaj ku ka më mirë sesa kur ke gatuar ato biskotat e shijshme, apo ato ëmbëlsirat që shohim përditë në rrjetet sociale të bëra nga amvisat tona, të uleni në këndin tuaj të preferuar të shtëpisë ti shijoni duke lexuar. Në të njëjtën kohë mbushim dhe stomakun, shpirtin dhe mendjen. Vërtet dashuria vjen nga stomaku, por po nuk dite ta shprehësh me fjalët e duhura nuk do e shijosh asnjëherë ashtu siç duhet.
E për t’ju rikthyer të martave, sot kishte një lajm të mirë për të gjithë dashamirësit e librit, por jo vetëm, edhe për ata që këto ditë kanë kërkuar të lexojnë një libër dhe nuk kanë mundur ta gjejnë sepse libraritë kanë qenë mbyllur, më në fund libraritë prej sot janë të hapura. Nuk ka më justifikime. 
Më poshtë do të gjeni disa sugjerime të mbledhura me miqtë e mi, por siç ju thashë e rëndësishme është të lexojmë se nuk dihet asnjëherë se ç’mund të na mësoj një pasazh libri, ndaj mos u kurseni me sugjerimet tuaja në faqen tonë në Instagram @ditarikarantines.
Lexim të këndshëm dhe dëgjohemi së shpejti!

1. Thomas Mann – Vdekje në Venedik
2. Fatos Kongoli – Ëndrra e Damokleut

3. Agatha Christie – Shtëpia e shtrembër
4. Ernest Hemingway – Lamtumirë armë!

5. Umberto Eco – Emri i trëndafilit
6. Ismail Kadare – Kështjella

7. Amos Oz – Të njohësh një grua
8. Ray Brandbury – Fahrenajt 451

9. Voltaire – Kandidi
10. Sofokliu – Edipi mbret

Shënim: Titujt e mësipërm janë përzgjedhur me qëllimin e të prurit vepra që, së pari, janë të gjendshme në gjuhën shqipe – pasi bëhet fjalë për letërsi klasike – e ç’është më e rëndësishmja kanë në qendër të fabulave përkatëse tema të lidhura me fatkeqësi natyrore apo njerëzore që i kanosen jetës së përditshme, si dhe shtyjnë në mbyllje të saj kundrejt shoqërisë dhe botës në tërësi.

Të tjerë libra:
1. Danielle Steel – Me shikim të parë
2. Elif Shafak – Dyzet rregullat e dashurisë

3. Klajd Gazulli – Pëshpërima e fundit
4. Daniel Glattauer- Dallga e shtatë

5. Daniel Glattauer – A të kam folur ndonjëherë për erën e veriut?

Shënim: Këto dy të fundit janë në listën time për rilexim.

Nga Albiona Sulo

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating


Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments