×
Thursday, April 18, 2024

Shqipëri, besimtarët e krishterë kremtojnë Krishtlindjet

December 25, 2020


Besimtarët krishterë në Shqipëri kremtojnë sot festën e Krishtlindjes.

Në Katedralen e Kishës Ortodokse në Tiranë u mbajt mesha e Krishtlindjes, ku të pranishëm ishin një numër i vogël qytetarësh për shkak të masave anti-COVID-19, ndërsa mesha u drejtua nga kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Anastas Janullatos.

Ndërkohë, besimtarëve të krishterë festën ua kanë uruar edhe presidenti Ilir Meta, kryeministri Edi Rama dhe kryeparlamentari Gramoz Ruçi.

Meta në mesazhin e tij në rrjetet sociale thekson se për shkak të pandemisë COVID-19, festimet tona këtë vit nuk janë aspak ato që do kishim dashur të ndodhnin.

“Mendimet dhe lutjet tona në këtë vigjilje Krishtlindje shkojnë në radhë të parë për ata, të cilët kjo fatkeqësi e rëndë i ndau përgjithmonë nga familja, të afërmit dhe të dashurit e tyre”, shprehet Meta.

Ndërsa Ruçi, në urimin e tij thekson se mesazhi i Krishtlindjeve është më i fuqishëm dhe më domethënës se asnjëherë në jetën e brezave që sot festojnë.

“Pas muzgut që shkaktoi pandemia, po agon drita që vjen prej dashurisë, forcës njerëzore dhe dëshirës për jetën. Te fuqia dhe bukuria e besimit të zbulojmë bukurinë e dashurinë njerëzore. Le të vazhdojmë t’i nxjerrim jashtë jetëve tona armiqësitë, konfliktet, individualizmin, egoizmin dhe teprimet dhe t’i kushtohemi mbrojtjes së jetëve njerëzore”, thuhet në mesazhin e Ruçit, publikuar nga zyra e shtypit e Kuvendit të Shqipërisë.

Ditën e sotme besimtarët e krishterë në të gjithë Shqipërinë kremtojnë festën e Krishtlindjeve, ku dhe shkëmbejnë urime me njëri-tjetrin.

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating


Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments