Shkolla e Integrimit Europian/ Balla: Shqipëria, e vendosur në rrugëtimin e saj për të përmbyllur reformat



Nënkryetari i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, Taulant Balla deklaroi sot se “Shqipëria është e vendosur në rrugëtimin e saj të palëkundur për të përmbyllur procesin e reformave dhe për të përparuar në 35 kapitujt e integrimit europian”.
Në fjalën e mbajtur në çelje të “Shkollës së Integrimit Europian 2020”, Balla tha se “shkolla prestigjoze mbi Integrimin organizohet në një moment kyç për vendin tonë sa i përket rrugës së integrimit evropian”.
“Të gjithë jemi të vetëdijshëm se procesi i integrimit është shumë kompleks dhe nuk mund të ecë përpara me retorikë apo fjalë boshe, por kërkon vullnet të palëkundur dhe angazhim të vazhdueshëm nga të gjitha palët”, tha Balla.
Ai tha se “të gjithë duhet të luajnë rolin e tyre dhe askush nuk mund dhe nuk duhet të tërhiqet nga kontributi i tij për këtë proces”.
“Kjo shkollë dhe përzgjedhja e pjesëmarrësve që vijnë nga fusha të ndryshme në vend, janë në funksion të kësaj filozofie dhe nevojës për të përgatitur ekspertë në secilin prej 35 kapitujve që vendi ynë do të negociojë me Bashkimin Europian”, tha ai.
Shqipëria, vijoi Balla, pret mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, gjë që do të thotë që vitet në vazhdim do të jenë veçanërisht sfiduese për vendin dhe do të kërkojnë njohuri dhe ekspertizë në fusha specifike.
“Siç kanë dëshmuar edhe eksperiencat e suksesshme të integrimit në familjen europiane të vendeve të tjera, pa angazhim kolektiv nuk mund të mbyllet cikli i nisur i reformave. Dhe për mbarvajtjen e procesit kompleks të negociatave do të kërkohet angazhimi i të gjithë ekspertëve tanë brenda dhe jashtë vendit”, shtoi ai.
Balla theksoi se “interesi i lartë për të qenë pjesëmarrës dëshmon që shkolla, e cila është në edicionin e saj të pestë, i’a ka arritur qëllimit për të përthithur profesionistë në fusha të ndryshme të cilët në një të nesërme të afërt do të angazhohen në procesin e negociatave me BE-në”.
“Jam shpresëplotë dhe i sigurt që këtë herë Këshilli do të jetë unanim në vendimin e tij, për zhvillimin e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë”, tha Balla.
Eunews.al

