Komisioni Evropian ka deklaruar se procesi i përzgjedhjes së të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për rajonin e Sahelit është zhvilluar në përputhje me rregullat, pavarësisht polemikave që kanë shpërthyer në Slloveni lidhur me kandidaturën e ish-ministres së Jashtme, Tanja Fajon.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje të POLITICO, zëdhënësi i Komisionit Evropian, Anouar El Anouni, tha se përzgjedhja për këtë post “është kryer në përputhje me procedurën”.
Në fund, posti iu besua diplomates daneze Birgitte Nygaard Markussen, e cila do të mbikëqyrë marrëdhëniet e BE-së me vendet e rajonit të Sahelit, një zonë që shtrihet nga brigjet e Atlantikut deri në Detin e Kuq dhe përballet me konflikte të armatosura, trafik droge dhe paqëndrueshmëri.
Sipas burimeve të cituara nga POLITICO, Tanja Fajon ishte propozuar fillimisht nga Shërbimi Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), por kandidatura e saj u tërhoq pasi qeveria sllovene ngriti kundërshtime.
Që prej marrjes së detyrës në qershor, kryeministri slloven Janez Janša ka kritikuar vazhdimisht qeverinë e mëparshme, ku Fajon shërbente si ministre e Punëve të Jashtme.
Janša pretendon se Fajon nuk ishte nominuar zyrtarisht për këtë post dhe se kandidatura e saj ishte paraqitur nga “një sekretar që i raportonte drejtpërdrejt asaj”. Për këtë çështje, qeveria ka depozituar edhe kallëzim penal, duke pretenduar se gjatë procedurës janë kryer parregullsi.
Nga ana tjetër, presidentja e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar, kritikoi veprimet e qeverisë, duke shprehur zhgënjimin e saj dhe duke paralajmëruar se ato mund të dëmtojnë përfaqësimin ndërkombëtar të vendit.
“Dështimi për emërimin e Tanja Fajon si Përfaqësuese e Posaçme e BE-së për Sahelin mund të jetë një fitore e vogël për një grupim politik, por në të njëjtën kohë është një humbje e madhe për vendin”, deklaroi ajo.
Ndërkohë, zëdhënësi i Komisionit Evropian, Guillaume Mercier, rikujtoi se përfaqësuesit e posaçëm të Bashkimit Evropian emërohen nga Këshilli i BE-së mbi propozimin e Përfaqësuesit të Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë.
“Ne nuk komentojmë çështje kombëtare që janë ende në proces”, u shpreh Mercier.


