Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti në një takim ministrin e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Kroacisë, Gordan Grlić-Radman, ku u diskutua për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe zhvillimet në rajon.
Gjatë takimit, të dy palët vlerësuan marrëdhëniet tradicionale të miqësisë mes Shqipërisë dhe Kroacisë, si dhe partneritetin strategjik ndërmjet dy vendeve.
Presidenti Begaj shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Zagrebi i ka dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe në forumet ndërkombëtare.
Në bisedë u diskutua gjithashtu për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, si ekonomia, mbrojtja, energjia, infrastruktura dhe turizmi.
Një pjesë e rëndësishme e takimit iu kushtua edhe situatës në Ballkanin Perëndimor. Presidenti Begaj vlerësoi qëndrimin e Kroacisë në mbështetje të Kosovës, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve për ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon.
Nga ana e tij, ministri i Jashtëm kroat, Gordan Grlić-Radman, konfirmoi gatishmërinë e Kroacisë për të vijuar mbështetjen ndaj Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, si dhe për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe.


