BE thërret diplomatin rus pas shkeljes së hapësirës ajrore të Rumanisë

28 Jul 2026 15:44
Shpërndaje:

Bashkimi Evropian ka thirrur për shpjegime të ngarkuarin me punë të ambasadës ruse në Bruksel, pas hyrjes së një droni rus në hapësirën ajrore të Rumanisë javën e kaluar.

Lajmi u konfirmua nga një zëdhënës i Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, i cili tha se Brukseli ka dënuar ashpër shkeljen e hapësirës ajrore të një shteti anëtar të Bashkimit Evropian.

“Ne shprehëm dënimin tonë të fortë për shkeljen e qëllimshme të hapësirës ajrore të Rumanisë”, deklaroi zëdhënësi.

Reklamë Ola

Sipas BE-së, hyrja e dronit rus përbën një “veprim të pamatur” dhe një përshkallëzim serioz të situatës, që rrezikon sigurinë e qytetarëve evropianë, stabilitetin rajonal dhe paqen ndërkombëtare.

Rumania, vend anëtar i NATO-s dhe Bashkimit Evropian, ndan një kufi prej rreth 600 kilometrash me Ukrainën, e cila prej më shumë se katër vitesh po përballet me agresionin ushtarak rus.

Reklamë InterMedika

Ndërkohë, Kaja Kallas u ka propozuar vendeve anëtare të BE-së miratimin e një pakete të re sanksionesh ndaj Rusisë. Sipas propozimit, masat do të lidhen si me shkeljen e hapësirës ajrore të Rumanisë, ashtu edhe me sulmin rus që dëmtoi konsullatën e nderit të Letonisë në lindje të Ukrainës.

“Rumania dhe Letonia kanë solidaritetin dhe mbështetjen tonë të plotë”, theksoi zëdhënësi i Bashkimit Evropian.