Politikani britanik Chris Philp, sekretar i Brendshëm në hije i Partisë Konservatore, ka akuzuar autoritetet franceze se u përpoqën ta “frikësonin”, pasi pranë varkës ku ndodhej u dëgjuan të shtëna gjatë një stërvitjeje të rojës bregdetare franceze në Kanalin Anglez.
Philp publikoi në rrjetin social X një video ku dëgjohen të shtënat ndërsa ai po jepte një intervistë mbi kalimet e emigrantëve me gomone, duke udhëtuar me një anije peshkimi.
Më vonë ai deklaroi se do ta ngrejë çështjen me ambasadorin francez në Mbretërinë e Bashkuar.
“Është e jashtëzakonshme që marina franceze përdor municion të vërtetë për të mbrojtur ujërat e saj nga një politikan britanik vizitor, por nuk bën asgjë për të ndalur kalimet e paligjshme në Kanal”, u shpreh Philp.
Ai shtoi se ngjarja i dukej “si të shtëna paralajmëruese ose një përpjekje për frikësim”.
Megjithatë, Ambasada e Francës në Londër hodhi poshtë këto pretendime. Në një deklaratë, duke cituar autoritetet franceze të mbrojtjes, bëri të ditur se anija e rojës bregdetare Flamant po zhvillonte një stërvitje rutinë me armë zjarri pranë brigjeve të Cap Gris-Nez.
Sipas autoriteteve franceze, të gjitha sinjalet e detyrueshme sipas standardeve ndërkombëtare ishin vendosur dhe ishin respektuar të gjitha protokollet e sigurisë.
“Ky ushtrim nuk kishte asnjë lidhje me praninë e një anijeje britanike në zonë, e cila ndodhej jashtë rrezes së qitjes. Anija Flamant nuk ishte e angazhuar në një operacion për monitorimin e mjeteve të emigrantëve”, thuhet në deklaratë.
Edhe një zyrtar britanik, i cili foli në kushte anonimiteti, konfirmoi se autoritetet franceze e kishin siguruar Londrën se ekuipazhi po zhvillonte një stërvitje të zakonshme ushtarake.
Çështja e kalimeve të emigrantëve me gomone në Kanalin Anglez mbetet një nga temat më të debatueshme në politikën britanike dhe një pikë e rëndësishme për Partinë Konservatore, e cila po përpiqet të paraqitet më e ashpër se partia Reform UK në trajtimin e emigracionit të paligjshëm.


