Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka bërë të ditur se gjatë takimit me presidentin amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë u diskutua mundësia e prodhimit me licencë të raketave për sistemin e mbrojtjes ajrore Patriot në Ukrainë.
Vizita e Zelenskyt vjen në një moment kritik për Kievin, ndërsa vendi vazhdon të përballet me sulme të vazhdueshme ajrore nga Rusia. Një nga objektivat kryesorë të presidentit ukrainas ishte sigurimi i mbështetjes së SHBA-së për prodhimin e sistemeve Patriot në territorin ukrainas, një ide që, sipas tij, Trump e kishte mbështetur edhe gjatë samitit të NATO-s.
Pas takimit, Zelensky tha se, përveç prodhimit të raketave Patriot, u diskutuan edhe iniciativa të tjera për forcimin e mbrojtjes së Ukrainës.
“Folëm për licencimin e prodhimit të raketave Patriot, si edhe për ide të tjera që mund të jenë të dobishme. Diskutuam gjithashtu për diplomacinë, pasi është e rëndësishme të ringjallet procesi diplomatik. Ekipet tona do të koordinohen për komunikimin e mëtejshëm”, deklaroi ai.
Presidenti ukrainas e cilësoi takimin si pozitiv, duke theksuar se me Trump bisedoi për mbrojtjen e qytetarëve ukrainas dhe mënyrat se si Shtetet e Bashkuara mund të ndihmojnë Ukrainën me sisteme të mbrojtjes nga raketat.
Megjithatë, administrata amerikane mbetet e kujdesshme për dërgimin e menjëhershëm të armëve shtesë, duke argumentuar se edhe rezervat e saj janë kufizuar. Sipas raportimeve, një pjesë e sistemeve të kërkuara nga Kievi janë përdorur tashmë nga ushtria amerikane gjatë operacioneve ushtarake në Iran.
Analistët vlerësojnë se, edhe pse rimbushja e shpejtë e rezervave amerikane paraqet vështirësi, lejimi i Ukrainës për të prodhuar armë me licencë do të rriste ndjeshëm kapacitetet e saj mbrojtëse. Njëkohësisht, kjo do të ulte në afatgjatë presionin mbi industrinë amerikane të mbrojtjes, ndërsa përvoja e fituar nga ushtria ukrainase në fushën e betejës mund të kontribuojë në zhvillimin e sistemeve më efikase dhe me kosto më të ulët.


