Investimet masive në inteligjencën artificiale mund të krijojnë një “flluskë” financiare të ngjashme me krizën e kompanive dotcom në fillim të viteve 2000 ose krizën financiare globale të vitit 2008. Paralajmërimi vjen nga Sekretari i Përgjithshëm i Bordit të Stabilitetit Financiar (FSB), John Schindler.
Në një intervistë për POLITICO, Schindler tha se vlerësimet shumë të larta të kompanive të lidhura me inteligjencën artificiale po monitorohen nga afër, ndërsa investitorët vazhdojnë të derdhin kapital në këtë sektor.
“Një nga sfidat e përhershme të sistemit financiar është nëse vlerësimet e aseteve janë të justifikuara. Gjatë periudhës së dotcom-it pamë se entuziazmi për teknologjitë e reja krijoi mbivlerësime. E njëjta gjë ndodhi me flluskën e pasurive të paluajtshme përpara krizës financiare të vitit 2008. Mund të jemi duke parë diçka të ngjashme edhe tani”, tha Schindler.
Sipas të dhënave të Goldman Sachs, kompanitë e lidhura me inteligjencën artificiale kanë shtuar rreth 27 trilionë dollarë në vlerën e tyre të tregut që nga nëntori i vitit 2022. Prodhuesi i çipave Nvidia u bë vitin e kaluar kompania e parë në botë që arriti një kapitalizim tregu prej 5 trilionë dollarësh.
FSB shpreh shqetësimin se investimet janë përqendruar në një numër të vogël kompanish gjigante dhe se një rënie e fortë e çmimeve të aksioneve të tyre mund të shkaktojë pasoja për sistemin financiar, për shkak të ekspozimit të bankave dhe përdorimit të lartë të levës financiare nga fondet e investimit.
Ndërkohë, si Bashkimi Evropian ashtu edhe Mbretëria e Bashkuar po nxisin qytetarët të investojnë më shumë në tregjet e kapitalit për të mbështetur rritjen ekonomike. Megjithatë, Schindler paralajmëroi se investitorët me pak përvojë mund të marrin vendime të rrezikshme dhe të pësojnë humbje.
Ai theksoi se tashmë ka sinjale të ngadalësimit të entuziazmit për investimet në inteligjencën artificiale, ndërsa shtohen dyshimet mbi fitimprurësinë dhe ndikimin real të teknologjisë në produktivitet. Javët e fundit, aksionet e disa kompanive të çipave kanë regjistruar rënie të ndjeshme.
Edhe institucione të tjera financiare kanë ngritur alarmin. Banka për Rregullime Ndërkombëtare (BIS) ka paralajmëruar se fitime më të ulëta se pritshmëritë nga kompanitë kryesore të inteligjencës artificiale mund të çojnë në një rënie të zgjatur të investimeve dhe në tërheqje të papritur të financimeve. Ndërsa Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka vlerësuar se tregjet mund të pësojnë tkurrje nëse inteligjenca artificiale nuk përmbush pritshmëritë për rritjen e produktivitetit dhe fitimeve.
Megjithatë, Schindler theksoi se sistemi bankar është më i fortë se para krizës së vitit 2008, edhe pse rreziqe mbeten, veçanërisht në sektorin financiar jobankar, i cili është zgjeruar ndjeshëm dhe mbikëqyret më pak.
Ai shtoi se FSB po monitoron edhe përdorimin e levës financiare për financimin e investimeve në inteligjencën artificiale, duke paralajmëruar se huamarrja e tepërt mund të përforcojë efektet e një korrigjimi të mundshëm të tregut.
“Nëse investitorët e vegjël thjesht investojnë kursimet e tyre në bursë, është një gjë. Por nëse ata marrin hua për të shumëfishuar investimet, pasojat mund të jenë shumë më të rënda në rast të një rënieje të tregut”, përfundoi Schindler.


