×
Friday, October 24, 2025

Shkelja e hapësirës ajrore nga dy avionë ushtarakë, Lituania thërret diplomatin rus

October 24, 2025


Lituania e ka thirrur të ngarkuarin me punë të Ambasadës e Rusisë në Vilnius në një takim sqarues, si dhe e ka kundërshtuar fuqishëm atë që e quajti hyrje të dy avionëve rusë në hapësirën e saj ajrore më 23 tetor.

Ushtria lituane tha në një komunikatë se një avion luftarak, Sukhoi SU-30, dhe një avion cisternë, IL-78, nga enklava ruse e Kaliningradit kaluan në hapësirën ajrore të Lituanisë për 18 sekonda, mbase gjatë stërvitjeve për furnizim me karburant në ajër. Vilniusi i kërkoi Rusisë të “shpjegojë menjëherë” arsyet e shkeljes së hapësirës ajrore të Lituanisë dhe t’i ndërmarrë “të gjitha masat e nevojshme për ta parandaluar përsëritjen e incidenteve të tilla në të ardhmen”, thuhej në komunikatë.
Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda, e quajti këtë “shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare dhe të integritetit territorial të Lituanisë”.

Kjo shkelje “dëshmon edhe një herë rëndësinë e forcimit të gatishmërisë për mbrojtjen ajrore evropiane”, tha ai në X. Ministria e Jashtme e Lituanisë njoftoi se e thirri të ngarkuarin me punë në Ambasadën ruse për të protestuar kundër shkeljes së hapësirës ajrore.
“Rusia duhet ta ndalë sjelljen e saj agresive, ta respektojë të drejtën ndërkombëtare dhe kufijtë e shteteve fqinje”, tha Ministria në X.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë e mohoi se ka pasur ndonjë shkelje.
“Fluturimet u kryen në përputhje të rreptë me rregullat për përdorimin e hapësirës ajrore mbi territorin rus. Aeroplanët nuk devijuan nga rruga e tyre dhe nuk shkelën kufijtë e shteteve të tjera”, tha Ministria ruse në Telegram.
Dy avionë spanjollë, Eurofighter Typhoon – pjesë e misionit të patrullimit ajror të NATO-s në Baltik – u ngritën menjëherë për t’iu përgjigjur këtij incidenti.
Kryeministrja e Lituanisë, Inga Ruginiene, tha se avionët “vepruan me saktësi” në “një tjetër shembull të punës së suksesshme dhe të bashkërenduar të shërbimeve tona”.
Ajo shtoi se incidenti tregoi “edhe një herë se Rusia sillet si një shtet terrorist pavarësisht së drejtës ndërkombëtare dhe sigurisë së vendeve fqinje. Megjithatë, veprime të tilla nuk do të na prekin, Lituania mbetet e vendosur, e bashkuar dhe e gatshme të mbrohet”. Kryeministri i Estonisë, Kristen Michal, dhe ministrja e Jashtme e Letonisë, Baiba Braze, shprehën solidaritet të plotë me Lituaninë.
Tri vendet baltike, anëtare të NATO-s dhe mbështetëse të forta të Ukrainës, kanë përjetuar shkelje të territorit të tyre nga avionë ose dronë rusë në muajt e fundit. Në shtator, tre avionë rusë, MiG-31, hynë në hapësirën ajrore të Estonisë mbi Gjirin e Finlandës dhe qëndruan atje për rreth 12 minuta.
Ky incident e shtyu Talinin të kërkonte mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe aktivizimin e Nenit 4 të Traktatit të Atlantikut, i cili parashikon konsultime mes aleatëve në rast kërcënimi ndaj njërit prej tyre.




Comments are closed.