Rusia mohon se po bisedon me SHBA-në për zgjerimin e G7-ës
Rusia nuk është duke biseduar me Shtetet e Bashkuara lidhur me zgjerimin potencial të G7 – grupit të vendeve më të industrializuara –në samitin që pritet të mbahet më vonë gjatë këtij viti, tha sot zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov.
“Ne nuk kemi pasur negociata të këtij lloji dhe nuk do të kemi”, tha ai më 4 korrik për agjencinë TASS.
Komentet e Ryabkov bien ndesh me komentet e ambasadorit të SHBA-së në Rusi, John Sullivan, i cili më 3 korrik deklaroi për RBC TV se Uashingtoni “është angazhuar me Ministrinë e Jashtme ruse dhe me qeveritë e tjera të vendeve të G7, lidhur me atë se nëse duhet të ketë rol për Rusinë në G7”.
Presidenti amerikan, Donald Trump ka ngritur idenë e rikthimit të Rusisë në grupin e vendeve më të industrializuara gjatë muajit maj, kur ai njoftoi se takimi i G7 do të shtyhej për në shtator për shkak të pandemisë së koronavirusit. Trump po ashtu kishte deklaruar se ai do të ftojë edhe Australinë, Rusinë, Korenë e Jugut dhe Indinë në këtë samit.
Rusia, që ka qenë pjesë e këtij grupi, u përjashtua nga ai, pasi aneksoi paligjshëm gadishullin ukrainas të Krimesë në vitin 2014.
Trump kishte thënë se është normale që presidenti rus, Vladimir Putin të ftohet që t’i ribashkohet grupit, por shtetet e tjera të G7-ës, si Kanada dhe Franca, kanë kundërshtuar këtë ide.
Eunews.al