Rrëzimi misterioz i dy avionëve amerikanë ushtarakë, Donald Trump tregon arsyet
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka sugjeruar se karburanti i ndotur mund të ketë qenë shkaku i dy aksidenteve ajrore të ndodhura brenda pak minutash në Detin e Kinës Jugore.
Dy avionë të Marinës amerikane, një helikopter MH-60R Seahawk dhe një F/A-18F Super Hornet, të dy të vendosur në aeroplanmbajtësen USS Nimitz, u rrëzuan të dielën gjatë misioneve të veçanta. Për fat të mirë, të gjithë anëtarët e ekuipazhit u shpëtuan.
“Mendoj se mund të jetë karburant i ndotur, është e mundur. Është shumë e pazakontë që kjo të ndodhë”, tha Trump për gazetarët gjatë fluturimit me Air Force One.
Ai shtoi se autoritetet pritet të japin së shpejti rezultatet e hetimeve.
I pyetur nëse dyshohej për ndonjë sabotim, presidenti e mohoi: “Nuk besoj se ka ndonjë prapaskenë”.
Një zyrtar i Marinës amerikane konfirmoi se “nuk besohet se ka ndodhur ndonjë veprim keqdashës”.
Incidentet po hetohen nga Komanda e Flotës së Paqësorit (PACFLEET), e cila mbikëqyr operacionet detare amerikane në rajonin e Azisë Juglindore.







