Rezoluta më e ashpër për Serbinë/ Parlamenti Europian dënoi fuqishëm polarizimin politik, qasjen pro-ruse dhe shtypjen shtetërore


Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë të mërkurën, duke dënuar fuqishëm polarizimin politik dhe shtypjen shtetërore të vazhdueshme në Serbi, një vit pas aksidentit tragjik në Novi Sad.
Rezoluta po vlerësohet më e ashpra ndonjëherë, që Parlamenti Evropian ka miratuar për Serbinë.
Në rezolutë, eurodeputetët kërkojnë procedura ligjore transparente dhe gjithëpërfshirëse për të sjellë para drejtësisë përgjegjësit për shembjen e strehës në stacionin hekurudhor në Novi Sad. Në shembjen e strehës vdiqën 16 persona, ndërsa pasuan më pas protesta masive studentore e qytetare.
Parlamenti Evropian bëri thirrje për llogaridhënie dhe reforma demokratike në Serbi.
Në rezolutë eurodeputetët thonë se janë thellësisht të shqetësuar për klimën e tensionuar dhe polarizuese të nxitur nga gjuha e urrejtjes, propaganda anti-BE dhe pro-ruse, dhe fushatat e shpifjes të përhapura nga mediat e kontrolluara nga qeveria dhe nga zyrtarët.
Është thënë gjithashtu se ka pasur dështim nga përfaqësuesit e Qeverisë për t’u përballur dhe për t’u pajtuar me të kaluarën e Serbisë.
Eurodeputetët thonë se “udhëheqja serbe është politikisht përgjegjëse për përshkallëzimin e represionit, normalizimin e dhunës dhe dobësimin e demokracisë së vendit”. Ata kanë denoncuar taktikat e paligjshme të mbikëqyrjes, duke përfshirë përdorimin e spywaret Pegasus, dhe përdorimin e pajisjeve akustike me rreze të gjatë veprimi dhe gaz lotsjellës kundër civilëve.
Rezoluta është miratuar me 457 vota pro, 103 kundër dhe 72 abstenime.
Po ashtu në rezolutë është folur edhe për zgjedhjet në Serbi duke theksuar se zgjedhjet e mëparshme janë mbajtur në kushte të padrejta nga presioni mbi votuesit dhe blerja e votave.


