Rama videokartolinë lamtumire për Nanon: S’do ndahet asnjëherë nga vendi i nderit në historinë e familjes sonë të madhe
Kryeministri Edi Rama përkujtoi sot liderin historik të Partisë Socialiste, ish-kryeministrin, Fatos Nano, i cili u nda dje nga jeta një ditë më parë në moshën 72-vjeçare pas një lufte sfilitëse me sëmundjen.
Rama ndau në rrjetet sociale një videokartolinë lamtumire me momentet kulmore të karrierës politike dhe jetës së Fatos Nano.
Rama theksoi se, Nano nuk do të ndahet asnjëherë nga kujtimet tona e nga vendi i nderit në historinë e familjes sonë të madhe, teksa u përcjell të gjithë atyre që e patën kryetar, shok e mik, ngushëllimet e tij vëllazërore.
Në video tregohen pjesë nga fjalimi i Nanos në Kongresin e 10 qershorit 1991, ku u shpreh se: “Partia Socialiste e Shqipërisë nga ky Kongres i shpreh vendit, botës dhe të ardhmes mesazhin që ajo do të vazhdojë të luftojë demokratikisht për të mbetur një nga forcat dhe alternativat kryesore politike të jetës së vendit dhe të jetës evropiane”.
Gjithashtu aty tregohet rrëfimi i Nanos për arrestimin.
“Nëna ime ditën që u nisa për në Prokurori dhe i thashë “mund të vonohem ca”. Më tha: “të kuptoj bir. Do të pres”.”, tregon Nano.
“Në fillim ka qenë një arrestim që shkonte ndesh me parimet e shtetit të së drejtës, që qe dhe kundër rregullave të Kodit të procedurës penale shqiptare. U mohua një proces i drejtë”, shprehet Nano në frëngjisht për arrestimin dhe procesin gjyqësor.
Gjithashtu në video tregohet edhe pjesëmarrja e Nanos në varrimin e nënës së tij teksa ishte i burgosur dhe u lejua nga autoritetet.
“Edhe autoritetet që më dhanë mundësinë t’i jap lamtumirën e fundit bashkë me njerëzit e mi më të afërt, nënës time. T’i falënderojë sepse do të përgëzoja faktin që ata njohin armëpushimin. Para vdekjes edhe hasmëritë ulin armët”, u shpreh Nano në varrim.
Në video tregohet edhe periudha e trazirave të vitit 1997, zgjedhja e Bashkim Finos si kryeministër në qeverinë e Pajtimit Kombëtar.
“Nuk do të largohem nga vendi dhe do të ftoja, në këto momente të vështira, çdo shqiptar që të mos largohet nga vendi’, shprehet Nano në një deklaratë.
Më pas në video tregohen pamjet e fitores së zgjedhjeve të vitit 1997 nga PS dhe ardhjes në pushtet.
“Gëzuar motra dhe vëllezër fitoren që na ndau përfundimisht nga diktatura ku ishim”, u shpreh Nano në mitingun e fitores.
Në video tregohen edhe trazirat e 1998-ës ku u sulmua Kryeministria dhe institucione të tjera.
“Nuk do të lejojmë më askënd të sulmojë, të bombardojë apo të granatojë institucionet e e zgjedhura në mënyrë demokratike në zemër të Ballkanit, të cilin ju e dini shumë mirë se ndodhet në një situatë jashtëzakonisht të rrezikshme”, u shpreh Nano në gjuhën angleze për mediet.
Më pas në video tregohen vitet e qeverisjes dhe takimet me liderët e ndryshëm botërorë.
Videokartolina përfundon me një mesazh që Fatos Nano u ka drejtuar drejtuar socialistëve.
“Ne kemi ditur dhe kemi mundur të ruajmë traditat më të mira, të përtërijmë vetveten dhe të ndryshojmë Shqipërinë, duke u përballur me sfidat e zhvillimit dhe duke ecur me hapin e kohës. Ta kalojmë stafetën nga etërit tek bijtë, duke mbajtur në pararojë të shoqërisë shqiptare një forcë shumë brezash, e cila po evropianizon Shqipërinë me energjinë e rinisë dhe me pjekurinë e veteranëve. Le të vazhdojmë reformat për ta ngritur Shqipërinë në standardet e Bashkimit Evropian për zhvillimin ekonomik, për sundimin e ligjit dhe për luftën ndaj korrupsionit. Ky është misioni ynë historik dhe sfida jonë me kohën dhe me vetveten. Askush tjetër nuk mund ta përmbushë këtë mision. Pa arritur këtë pikë të pakthyeshme gjithçka kemi bërë do të mbetet punë e papërfunduar. Le të vazhdojnë ditët dhe vitet e bardha për Shqipërinë dhe për brezat që vijnë. Rrofshi dhe qëllofshi gjithnjë në shenjë”, u shpreh Nano.







