Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median britanike “Channel 4”, ku ka folur gjerësisht për protestat e zhvilluara në vend dhe projektin e investimit në Zvërnec, duke mbrojtur nismën dhe duke theksuar se ajo do të respektojë standardet evropiane.
Rama e cilësoi të pabazuar idenë se Shqipëria mund të avancojë me një projekt që bie ndesh me legjislacionin e Bashkimit Evropian, ndërsa u shpreh se investimi nuk synon të dëmtojë zonën, por ta rigjenerojë atë.
“Janë përfshirë arkitektë të nivelit më të lartë dhe projektues peizazhi të njohur për punën e tyre në zonat ligatinore. Në të njëjtën kohë ne po bëjmë në mënyrë të pavarur vlerësimin e ndikimit në mjedis. Pra, projekti nuk synon ta shkatërrojë atë vend të bukur. Synon ta rigjenerojë.
Është shumë mirë që Komisioni është i shqetësuar. Nuk mund të jetë ndryshe. Dhe, meqë ra fjala, ne po negociojmë për t’u bërë anëtarë të Bashkimit Europian. Prandaj vetë ideja se ne mund të ecim përpara me një projekt, apo me çfarëdo projekti, që nuk përputhet me standardet evropiane është absurde.
Unë po them vetëm këtë për këtë projekt, qetësohuni, flisni me fakte, komentoni faktet dhe shikoni faktet. Mos u emociononi tepër duke thënë se gjithçka është katastrofike. Kushdo që e bën punën e tij me pasion e përjeton personalisht. Por nuk jam i lënduar. Madje kjo më ka ndihmuar”, deklaroi Rama.
Kryeministri u ndal edhe te protestat e zhvilluara para Kryeministrisë, duke i cilësuar ato si një tregues të rritjes së pritshmërive të qytetarëve.
“Për mua protestat e qershorit, jo kjo e tanishmja, kanë qenë njëkohësisht një konfirmim se vendi ka arritur në një nivel tjetër dhe, nga ana tjetër, një pasqyrë shumë e qartë për të parë se mbi çfarë duhet të reflektojmë”, u shpreh Rama.
Gjatë intervistës, gazetarja e pyeti kryeministrin për punimet e nisura në Zvërnec dhe shqetësimet e ngritura për ndikimin në habitatin e flamingove dhe ekosistemin e zonës.
Rama mohoi që projekti të ketë nisur zyrtarisht, duke sqaruar se punimet e kryera deri tani janë vetëm përgatitore.
“Nuk ka nisur asnjë projekt. Janë vetëm përgatitje për kryerjen e punimeve paraprake, përpara se të jepet leja, bazuar në vlerësimin mjedisor, gjeologjik dhe hidrologjik”, tha ai.
I pyetur për takimin e parë me Jared Kushner dhe Ivanka Trump, Rama tregoi se i kishte njohur në një jaht që ishte ndalur në Shqipëri gjatë një udhëtimi drejt Malit të Zi.
“Më ftuan t’i bashkohesha disa njerëzve në një jaht që ndaloi në Shqipëri për t’u furnizuar me karburant. Ishte jahti i Nat Rothschild. Aty takova Jared-in dhe Ivanka-n. Disa muaj më vonë, në Davos, Jared më shprehu interesin për të eksploruar mundësinë e investimit në Shqipëri. Sigurisht që i thashë po. Si mund t’i thosha jo?”, u shpreh ai.
Sipas Ramës, projekti ka evoluar ndjeshëm nga prezantimet e para publike dhe tashmë po hartohet nga arkitektë dhe projektues të njohur ndërkombëtarisht, ndërsa do t’i nënshtrohet një vlerësimi të pavarur të ndikimit në mjedis.
Duke komentuar shqetësimet e Komisionit Evropian për ndryshimet në ligjin mjedisor dhe investimet strategjike, kryeministri theksoi se qeveria nuk do të ndërmarrë asnjë projekt që nuk respekton standardet evropiane.
Në fund të intervistës, Rama tha se kritikat nuk e kanë lënduar personalisht, por e kanë ndihmuar të reflektojë mbi pritshmëritë e qytetarëve dhe mbi drejtimin që duhet të ndjekë qeveria.


