Lamallari: Asnjë tolerancë për ata që rrezikojnë jetën e pushuesve në plazhe

29 Jul 2026 16:27
Shpërndaje:

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka reaguar pas incidentit të ndodhur në plazhin e Shëngjinit, ku një mjet lundrues shkeli perimetrin e sigurisë, duke rrezikuar jetën e pushuesve.

Përmes një reagimi publik, Lamallari theksoi se plazhet duhet të mbeten ambiente të sigurta për familjet dhe turistët, ndërsa paralajmëroi se çdo person që shkel ligjin dhe vë në rrezik jetën e të tjerëve do të përballet me masa të menjëhershme.

“Plazhet tona janë për familjet dhe pushuesit, jo për aventurierët që luajnë me jetën e të tjerëve si ky këtu në Shëngjin. Kush sfidon ligjin dhe vë në rrezik shëndetin dhe jetën e turistëve për aventurat e tij, do të përballet me pasojat pa asnjë tolerancë dhe vonesë. Nuk do të ketë as paralajmërime, as justifikime”, u shpreh ministri.

Reklamë Ola

Lamallari falënderoi qytetarët që denoncojnë raste të tilla, si edhe mediat për publikimin e tyre, duke theksuar se bashkëpunimi i tyre është thelbësor për garantimin e sigurisë në zonat turistike.

“Falënderoj qytetarët për besimin dhe raportimin e rasteve të tilla, si dhe mediat për ekspozimin e tyre. Siguria e pushuesve nuk negociohet!”, përfundoi ministri.

Reklamë InterMedika