Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se dyshimi i parë i institucioneve pas gjetjes së mbetjeve mortore në fshatin Kalludër të Zubin Potokut është se ato mund t’u përkasin 23 intelektualëve nga Mitrovica, të rrëmbyer dhe zhdukur me forcë më 19 prill 1999, gjatë luftës në Kosovë.
Në një deklaratë për mediat, Kurti tha se gjetjet lënë të kuptohet se bëhet fjalë për një varrezë masive, por theksoi se identiteti i viktimave do të konfirmohet vetëm pas përfundimit të hetimeve nga organet kompetente.
“Dyshimi ynë i menjëhershëm, kur kemi marrë vesh se janë gjetur mbetje mortore, natyrisht ka qenë se bëhet fjalë për grupin e 23 intelektualëve, të cilët u rrëmbyen dhe u zhdukën dhunshëm më 19 prill të vitit 1999. Ne nuk mund ta konfirmojmë që bëhet fjalë për ta, por ky ka qenë dyshimi ynë i menjëhershëm. Sidoqoftë, duhet t’i presim organet tona që të na tregojnë se për çfarë bëhet fjalë atje. Duket se kemi një varrezë masive në fshatin Kalludër të Zubin Potokut, një territor që nuk ishte shqyrtuar më herët”, u shpreh Kurti.
Në Kalludër të Vogël të Zubin Potokut janë gjetur mbetje mortore dhe sende personale, përfshirë veshmbathje, që dyshohet se mund t’u përkasin 23 intelektualëve të zhdukur nga Mitrovica.
Autoritetet e Kosovës kanë bërë të ditur se hetimet janë në vijim për identifikimin e viktimave dhe dokumentimin e plotë të rastit.
Ndërkohë, të hënën, Policia e Kosovës arrestoi dy persona të dyshuar për përfshirje në zhdukjen e 23 intelektualëve, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vazhdojnë.


