Aleatët evropianë refuzojnë planin e SHBA-së për patrullim të përbashkët në Ngushticën e Hormuzit

29 Jul 2026 15:03
Shpërndaje:

Aleatët evropianë të Shteteve të Bashkuara po refuzojnë të mbështesin planin e Uashingtonit për krijimin e një force të përbashkët detare në Ngushticën e Hormuzit, derisa të ketë një armëpushim të qëndrueshëm në konfliktin me Iranin.

Sipas POLITICO, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, u ka kërkuar Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës të marrin rol drejtues në koalicionin e propozuar. Megjithatë, iniciativa po përballet me skepticizëm nga partnerët evropianë, të cilët mbeten të pakënaqur me mënyrën se si administrata e Donald Trump ka trajtuar aleatët gjatë krizës.

Plani parashikon organizimin e një konference ndërkombëtare në Londër, ku do të përcaktoheshin rolet e vendeve pjesëmarrëse dhe misionet e anijeve luftarake, përfshirë pastrimin e minave detare dhe mbrojtjen e anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit, një prej korridoreve më të rëndësishme për transportin global të naftës.

Reklamë Ola

Megjithatë, zyrtarët britanikë dhe amerikanë pranojnë se iniciativa ndodhet ende në fazë të hershme dhe nuk pritet të ketë zhvillime të shpejta.

Sipas burimeve, Hegseth e diskutoi idenë gjatë një bisede telefonike me ministrin britanik të Mbrojtjes, Wes Streeting, ndërsa më pas të dy zhvilluan një bisedë edhe me ministren franceze të Forcave të Armatosura, Catherine Vautrin, për të koordinuar përpjekjet në garantimin e sigurisë së lundrimit në rajon.

Reklamë InterMedika

Streeting ka bërë të qartë se Mbretëria e Bashkuar nuk do të marrë pjesë në operacione sulmuese kundër Iranit.

“Nuk jemi bashkuar dhe nuk do t’i bashkohemi veprimeve ushtarake sulmuese të SHBA-së kundër Iranit. Megjithatë, kur bëhet fjalë për garantimin e lirisë së lundrimit dhe mbrojtjen e transportit tregtar në Ngushticën e Hormuzit, jemi plotësisht në një linjë”, deklaroi ai.

Nga ana tjetër, aleatët evropianë vazhdojnë të jenë të irrituar që administrata Trump nuk i konsultoi përpara sulmeve amerikano-izraelite kundër Iranit, të cilat nisën në shkurt.

Edhe senatori demokrat Chris Coons kritikoi mënyrën e veprimit të Shtëpisë së Bardhë.

“Nuk pati konsultim me Kongresin, nuk pati konsultim me aleatët, thjesht ndodhi. Nuk mund të habitesh kur organizon një festë dhe nuk fton askënd”, tha ai.

Edhe pse SHBA-ja ka pezulluar sulmet ndaj Iranit që nga e premtja, armëpushimi mbetet i brishtë. Presidenti Donald Trump deklaroi se palët janë në bisedime dhe se ekziston “një mundësi e mirë” për arritjen e një marrëveshjeje më të qëndrueshme.

Megjithatë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, tha se situata aktuale “nuk mund të përshkruhet si armëpushim”.

Ndërkohë, trafiku tregtar në rajon vazhdon të mbetet i paralizuar. Dhjetëra anije me naftë dhe mallra të tjera janë bllokuar në Gjirin Persik, ndërsa sipas kompanisë Windward Intelligence, më 27 korrik asnjë cisternë nafte nuk kaloi përmes Ngushticës së Hormuzit.

Në të njëjtën kohë, SHBA-ja vazhdon të mbajë dy aeroplanmbajtëse dhe disa anije të tjera luftarake në Lindjen e Mesme, përfshirë mjete që transportojnë rreth 2.500 marinsa. Sipas ish-zyrtarëve ushtarakë amerikanë, zgjatja e këtyre dislokimeve po ngre shqetësime për gatishmërinë operacionale të flotës amerikane dhe nevojën për mirëmbajtjen e mjeteve detare.