Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar një sërë vendimesh me fokus mbështetjen sociale të familjeve në nevojë, subvencionimin e qirasë dhe sistemimin në banesa sociale, si pjesë e politikave për përmirësimin e kushteve të jetesës në kryeqytet.
Mbledhja u drejtua nga nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Vasilika Vjero, e cila prezantoi projektvendimin për miratimin e familjeve përfituese nga programi i bllok-ndihmës ekonomike për periudhën 1–30 qershor 2026.
Sipas Vjeros, pas vlerësimit të kryer nga strukturat përgjegjëse për shërbimet sociale, janë shpallur përfituese 216 familje, bazuar në vlerësimet social-ekonomike të njësive administrative.
“Strukturat përgjegjëse për shërbimet sociale kanë vlerësuar si përfituese 216 familje në nevojë. Nga këto, 136 familje do të trajtohen me fonde të buxhetit vendor, ndërsa 80 familje do të mbështeten nga fondi i kushtëzuar deri në masën 6%,” deklaroi Vjero.
Gjatë mbledhjes u miratua gjithashtu projektvendimi për subvencionimin e qirasë për familjet që nuk kanë mundësi të përballojnë kostot e tregut të lirë të banesave.
Këshilli Bashkiak dha miratimin edhe për sistemimin e disa familjeve në banesat sociale me qira në zonën e Shkozës, si dhe për akordimin e ndihmës financiare për 15 subjekte, banesat e të cilëve janë dëmtuar nga zjarret dhe përmbytjet.
Sipas Bashkisë së Tiranës, vendimet e miratuara synojnë të forcojnë mbështetjen sociale për shtresat në nevojë, duke garantuar më shumë siguri ekonomike dhe ndihmë për familjet që përballen me vështirësi financiare ose me pasojat e fatkeqësive natyrore.


