Senati amerikan avancon projektligjin për sanksione ndaj Rusisë, i riemërtuar në nder të Lindsey Graham

29 Jul 2026 16:20
Shpërndaje:

Senati i Shteteve të Bashkuara votoi me një shumicë dërrmuese për të avancuar projektligjin e ri për sanksione ndaj Rusisë, një nismë që ishte mbështetur prej kohësh nga senatori republikan Lindsey Graham përpara vdekjes së tij.

Projektligji mori 86 vota pro dhe 12 kundër në votimin procedural të zhvilluar të martën në mbrëmje, duke i hapur rrugën miratimit përfundimtar në Senat më vonë gjatë kësaj jave.

Votimi u zhvillua pak pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky iu drejtua senatorëve në Capitol Hill dhe pas ceremonisë mortore të Graham, i cili ishte një nga mbështetësit më të fortë të Ukrainës në Kongres.

Reklamë Ola

Pas vdekjes së senatorit nga Karolina e Jugut, projektligji fitoi vrull politik dhe ligjvënësit vendosën ta riemërtonin atë në nder të tij.

Legjislacioni parashikon vendosjen e sanksioneve ndaj drejtuesve rusë, sektorit energjetik dhe të ashtuquajturës “flotë në hije” që përdoret për eksportin e naftës ruse. Gjithashtu, në versionin e fundit janë përfshirë edhe dispozita për zgjatjen e disa sanksioneve ekzistuese ndaj Iranit, pas një marrëveshjeje të arritur mes ligjvënësve.

Reklamë InterMedika

Projektligji ka 62 bashkësponsorë dhe pritet të miratohet në Senat, megjithëse rruga e tij në Dhomën e Përfaqësuesve mbetet e pasigurt, pasi ligjvënësit kanë nisur pushimet e muajit gusht.

Megjithëse disa demokratë kanë shprehur rezerva, duke argumentuar se projektligji i jep presidentit Donald Trump kompetenca më të gjera për vendosjen e tarifave doganore, ai gëzon mbështetje të gjerë dypartiake dhe ka marrë edhe miratimin e Shtëpisë së Bardhë.

Lindsey Graham dhe senatori demokrat Richard Blumenthal kishin udhëhequr për më shumë se një vit përpjekjet për miratimin e kësaj pakete sanksionesh. Megjithatë, iniciativa ishte përballur me pengesa të shumta, përfshirë kundërshtimet e administratës Trump, e cila kërkonte më shumë fleksibilitet për presidentin në përcaktimin e subjekteve që do të sanksionoheshin.

Pak ditë para vdekjes së tij, Graham njoftoi nga Kievi se kishte siguruar mbështetjen e Shtëpisë së Bardhë për versionin e rishikuar të projektligjit.

Versioni i ri zgjeron listën e entiteteve ruse që do t’u nënshtrohen sanksioneve të detyrueshme, përfshirë flotën e anijeve që transportojnë naftën ruse, por njëkohësisht i jep presidentit Trump autoritet të gjerë për të pezulluar ose përjashtuar zbatimin e disa masave.

Projektligji parashikon gjithashtu përdorimin e tarifave doganore ndaj vendeve që janë blerësit kryesorë të energjisë ruse, me synim uljen e varësisë së tyre nga eksportet e Moskës.

Kjo dispozitë është kritikuar nga disa demokratë. Ligjvënësit Richard Neal dhe Ron Wyden deklaruan se “është jashtëzakonisht e rrezikshme t’i jepen Trump kompetenca të reja të gjera mbi tarifat”, duke përmendur ndikimin që, sipas tyre, kanë pasur politikat e tij tregtare.

Pavarësisht kritikave, vetëm 11 senatorë demokratë dhe republikani Rand Paul votuan kundër avancimit të projektligjit.

Lideri i demokratëve në Senat, Chuck Schumer, tha se miratimi i paketës do t’i dërgojë një mesazh presidentit rus Vladimir Putin se “nuk mund ta frikësojë Ukrainën” dhe se Shtetet e Bashkuara “qëndrojnë në krah të aleatit të tyre”.