×
Tuesday, October 28, 2025

Rama: Lufta për liri nuk është krim, gjykimi në Hagë padrejtësi historike

October 28, 2025


Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se është e tmerrshme që ata të cilët luftuan për lirinë e Kosovës, duhet të përballen me gjykatën në Hagë për të vërtetuar se lufta për liri nuk është krim.

Rama ndau në rrjetet sociale një foto të ish-presidentit Hashim Thaçi me ish-komandantin suprem të NATO-s, Wesley Clark, i cili pritet të dëshmojë në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK): Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, që po zhvillohet në Hagë.

“A nuk është e tmerrshme ta mendosh se shpëtimtarët e një kohe kur vetë ekzistenca e Kosovës ishte në tehun e thikës së gjatë të padrejtësisë historike ndaj shqiptarëve, duhet të paraqiten para një gjykate të dalë krejt nga objekti për të cilin u ngrit, për të dëshmuar se lufta për liri nuk është krim, se rebelimi ndaj një diktature nacional-socialiste nuk është faj, se shteti i ri e sovran i Kosovës nuk ka dalë nga barku i një ndërmarrjeje kriminale, po nga gjaku i një ushtrie çlirimtare?!”, pyet Rama.

Rama e konsideroi turp për drejtësinë ndërkombëtare por edhe më zi për “shqipsharësit” digjitalë që e shohin dhe trajtojnë Hashim Thaçin si armik politik.

“Çfarë turpi për drejtësinë ndërkombëtare dhe edhe më zi për shqipsharësit digjitalë, tifozë të verbuar prej budallakisë kinse patriotike, që edhe mbrapa hekurave të kësaj padrejtësie ulëritëse, e shohin dhe trajtojnë Hashim Thaçin si armik politik, e urojnë të mos dalë më kurrë prej aty; ndërkohë që kur atyre t’u jetë harruar nami e nishani dhe asaj gjykate t’i ketë mbetur vetëm njolla e turpit të historisë, emri i Hashimit do të mbetet përgjithnjë si emri i njeriut që u bë njësh me fatin, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, u shpreh Rama.

Gjenerali në pension i ushtrisë amerikane dhe ish-komandanti suprem i NATO-s ka marrë autorizimin nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara për të dëshmuar në mbrojtjen e Thaçit, i cili së bashku me tre ish-eprorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), po gjykohen në qytetin holandez për krime lufte.

Clark pritet të dëshmojë si dëshmitari i fundit i mbrojtjes dhe, sipas dokumentit të paraqitur në gjykatë, ai ka bërë të ditur se nuk mund të udhëtojë në Hagë para datës 17 nëntor 2025.




Comments are closed.