Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se ka refuzuar tri herë dorëheqjen e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Kryetari i Partisë Socialiste, njëherësh kryeministër i vendit, i bëri këto komente gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së, ku u prezantuan ndryshimet ligjore të propozuara nga PS, që synojnë të ndalojnë pezullimin e ministrave, kryeministrit dhe drejtuesve të institucioneve të tjera kushtetuese nga ana e gjykatës.
Rama u shpreh se nuk mund të jenë gjyqtarë paraprakë, media apo institucione të tjera jashtë pushtetit ekzekutiv që vendosin për pezullimin apo ndryshimin e kabinetit qeveritar.
“Belinda Balluku ma ka dorëzuar tri herë dorëheqjen. I kam në dosje. Një herë kur iu ngrit akuza, një herë kur iu bë pezullimi i parë dhe një herë pasi Gjykata Kushtetuese nuk mori vendim, dhe unë ia kam refuzuar dorëheqjen. Dorëheqje e detyruar nga një fuqi që ka dalë nga territori i tij, për të kaluar tek territori i pushtetit ekzekutiv nuk ka.
Unë do ta pranoj dorëheqjen kur të plotësohen kushtet, dhe këtë nuk mund ta caktojë as gjyqtari paraprak, as media”, tha ndër të tjera Rama.


