Në kulmin e sezonit turistik, kur kryeqyteti përjeton një fluks të shtuar turistësh dhe vizitorësh, Ujësjellës Kanalizime Tiranë vijon të ofrojë shërbim 24 orë për qytetarët.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, njëherësh dhe Drejtues Politik për Tiranën, Taulant Balla, zhvilloi një vizitë në UKT, ku u prit nga drejtori, Flauers Shoshi.
Gjatë takimit, Balla u njoh me mënyrën e organizimit të shërbimit dhe punën e strukturave operative për përballimin e çdo problematike që mund të shfaqet gjatë kësaj periudhe.
Sipas drejtuesit të UKT-së, shërbimi operativ funksionon 24 orë në ditë, 7 ditë të javës, duke mundësuar marrjen dhe trajtimin në kohë të kërkesave dhe ankesave të qytetarëve.
Balla vlerësoi angazhimin e stafit të UKT-së, veçanërisht në një periudhë me ngarkesë të shtuar për shkak të sezonit turistik.
Gjatë vizitës, ai u bëri thirrje qytetarëve që për çdo problematikë lidhur me furnizimin me ujë apo shërbimet e UKT-së të përdorin kanalet zyrtare të komunikimit, me qëllim që ekipet operative të marrin dijeni dhe të ndërhyjnë sa më shpejt.
“Në një Tiranë që gjatë gushtit pret mijëra vizitorë, shërbimi 24 orë dhe reagimi në kohë janë të domosdoshëm për garantimin e një shërbimi cilësor për qytetarët dhe turistët”, theksoi Balla.


