Superjahti 134 metra “Deep Blue” ankorohet në Durrës

11 Aug 2026 15:02
Shpërndaje:

Një prej superjahteve më të mëdha që kanë mbërritur në brigjet shqiptare, “MY Deep Blue”, është ankoruar në Portin e Durrësit, duke tërhequr vëmendjen për përmasat e tij dhe duke konfirmuar interesin në rritje të turizmit luksoz detar për Shqipërinë.

Superjahti ka një gjatësi prej 134,2 metrash dhe gjerësi 19,8 metra, duke u renditur ndër mjetet lundruese më të mëdha të këtij lloji që kanë vizituar vendin.

Autoriteti Portual Durrës bëri të ditur se “MY Deep Blue” është ndërtuar në vitin 2026 nga kompania prestigjioze gjermane Lürssen, një prej emrave të njohur ndërkombëtarisht për ndërtimin e superjahteve.

Reklamë Ola

I përket gjeneratës së re të mjeteve luksoze lundruese dhe mbërritja e tij në Durrës vjen në kulmin e sezonit turistik, kur brigjet shqiptare po presin një numër gjithnjë e më të madh jahtesh dhe superjahtesh.

Sipas Autoritetit Portual, prania e mjeteve të këtyre përmasave është një tregues i interesit në rritje për Durrësin dhe Shqipërinë si pjesë e itinerareve të turizmit detar në Adriatik.

Reklamë InterMedika

Vitet e fundit, turizmi i jahteve është kthyer në një segment me potencial të veçantë për vendin, pasi lidhet me një kategori vizitorësh me fuqi të lartë shpenzuese dhe krijon mundësi ekonomike edhe për shërbimet turistike në destinacionet ku këto mjete ankorohen.

Mbërritja e “MY Deep Blue” shihet gjithashtu si një mundësi për të rritur ekspozimin e Durrësit në tregun ndërkombëtar të lundrimeve luksoze dhe për të forcuar pozicionin e porteve shqiptare në itineraret turistike të Adriatikut dhe Mesdheut.

Autoriteti Portual Durrës e konsideron ankorimin e superjahteve të kësaj kategorie një tjetër sinjal të zhvillimit të këtij segmenti turistik dhe të rritjes së profilit të Shqipërisë si destinacion detar.