Shqipëria e para në botë për sigurinë kibernetike, Rama: Nga shënjestër, në avangardë

11 Aug 2026 15:19
Shpërndaje:

Shqipëria është renditur në vendin e parë në botë në National Cyber Security Index (NCSI), duke grumbulluar 98,33 pikë. Lajmi është bërë i ditur nga kryeministri Edi Rama, i cili e cilësoi rezultatin si një arritje historike për kapacitetet kombëtare të sigurisë kibernetike.

Në një reagim të gjatë në rrjetet sociale, Rama e lidhi renditjen e Shqipërisë me investimet dhe ndryshimet e ndërmarra pas sulmit të madh kibernetik të korrikut 2022, për të cilin autoritetet shqiptare akuzuan Iranin.

“Lajm i pabesueshëm po 100% i vërtetë. Nga një sulm brutal, te vendi i parë në botë”, shkroi Rama.

Reklamë Ola

Kryeministri theksoi se teknologjia u jep vendeve në zhvillim mundësinë për të kapërcyer me shpejtësi etapa që shteteve të tjera u janë dashur dekada për t’i kaluar. Ai solli si shembull Estoninë, ndërsa argumentoi se transformimi digjital mund të ndryshojë ndjeshëm pozicionin e një vendi në raport me ekonomitë më të zhvilluara.

Rama u ndal veçanërisht te sulmi kibernetik i 15 korrikut 2022 ndaj infrastrukturës digjitale shqiptare. Sipas tij, sulmi kishte si synim goditjen e një shteti që në atë periudhë kishte ende kapacitete të dobëta të mbrojtjes kibernetike.

Reklamë InterMedika

Kryeministri deklaroi se sulmi rrezikoi të godiste investimet e bëra ndër vite në digjitalizimin e shërbimeve publike dhe ta kthente vendin te sportelet dhe radhët për marrjen e shërbimeve.

Megjithatë, sipas tij, pikërisht kjo ngjarje shërbeu si pikënisje për një transformim të thellë të sistemit të mbrojtjes kibernetike.

“Vendosëm të ndërtonim një mur të atillë mbrojtës për shtetin digjital të Shqipërisë, që të ishte e pamundur të shembeshin me një sulm të ngjashëm infrastrukturat e tij publike”, shkroi Rama.

Nga vendi i 54-t në majën e klasifikimit

Kryeministri paraqiti edhe ecurinë e Shqipërisë në renditjen ndërkombëtare gjatë viteve të fundit.

Sipas tij, në vitin 2023 Shqipëria arriti në vendin e 54-të, pas nisjes së ndërtimit të një arkitekture të re të mbrojtjes kibernetike dhe forcimit të kapaciteteve profesionale të strukturave përgjegjëse.

Në vitin 2025, vendi u ngjit në pozicionin e 15-të. Rama tha se ky përmirësim erdhi pas zhvillimit të arkitekturës së re të mbrojtjes dhe bashkëpunimit të ngushtë me partnerët izraelitë.

Tashmë, sipas të dhënave të bëra publike prej tij, Shqipëria ka arritur vendin e parë në National Cyber Security Index me 98,33 pikë.

“SHQIPËRIA KA DALË E PARA NË BOTË NË NATIONAL CYBER SECURITY INDEX (NCSI), ME 98.33 PIKË”, shkroi Rama.

Ai theksoi se kjo renditje nuk duhet parë si një rezultat i rastësishëm, por si pasojë e investimeve në teknologji, ngritjes së kapaciteteve institucionale dhe rritjes së aftësive profesionale në fushën e sigurisë kibernetike.

Inteligjenca Artificiale në mbrojtjen kibernetike

Një nga elementët që Rama veçoi është përdorimi i Inteligjencës Artificiale në arkitekturën e mbrojtjes kibernetike të vendit.

Sipas kryeministrit, Shqipëria ka integruar një model proaktiv të Inteligjencës Artificiale, i cili synon që sistemi të mos kufizohet vetëm në reagimin pasi ndodh një sulm, por të identifikojë dhe parandalojë kërcënimet.

Rama deklaroi se sulmet kibernetike ndaj Shqipërisë nuk kanë përfunduar, por sipas tij, sistemet e reja të mbrojtjes kanë bërë të mundur që ato të dështojnë pa shkaktuar pasoja të ngjashme me ato të vitit 2022.

“Ndërkohë sulmet e regjimit kriminal të Teheranit, dhe jo vetëm, nuk kanë rreshtur asnjë ditë. Por nuk keni dëgjuar më gjë për to, sepse kanë dështuar me sukses çdo ditë”, u shpreh ai.

Rama: Sulmi na detyroi të bëheshim më të fortë

Kryeministri ia atribuoi një pjesë të transformimit edhe bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, duke theksuar rëndësinë e aleancave në forcimin e kapaciteteve teknologjike dhe të sigurisë së vendit.

“Regjimi i Teheranit deshi të na tregonte sa të dobët ishim. Në fakt, na detyroi të bëhemi fuqia që jemi sot në mbrojtjen e Shqipërisë Digjitale”, deklaroi Rama.

Sipas tij, Shqipëria ka kaluar nga të qenit objektiv i një prej sulmeve më serioze kibernetike ndaj një vendi anëtar të NATO-s në një pozicion udhëheqës për zhvillimin e kapaciteteve kombëtare të sigurisë kibernetike.

Megjithatë, Rama paralajmëroi se vendi i parë në një fushë që ndryshon me shpejtësi nuk mund të konsiderohet një rezultat përfundimtar. Sipas tij, puna duhet të vazhdojë për të ruajtur dhe përmirësuar kapacitetet ekzistuese.

Një nga objektivat e ardhshëm, sipas kryeministrit, është zgjerimi i nivelit të mbrojtjes kibernetike përtej infrastrukturës shtetërore dhe përfshirja më e gjerë e sektorit privat.

“Puna vazhdon me këmbëngulje, sepse në botën e re të teknologjisë i pari sot mund të mbetet i fundit nesër, ndërkohë që muri ynë mbrojtës duhet të shtrihet kudo, edhe në sektorin privat”, përfundoi Rama.