×
Tuesday, October 14, 2025

Rama: Hapim dyert e institucioneve ndaj inovatorëve për zhvillimin e IA

October 14, 2025


Kryeministri Edi Rama iu adresua sot me një fjalë forumit të Investimeve “WB6 – Bashkimi Europian”, një nismë unike që bashkon krijuesit inovatorë, startup-et, sipërmarrësit, investitorët, politikat publike të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian, në një garë me ide dhe zgjidhje digjitale që nxisin zhvillimin e rajonit.

Në aktivitetin “Hackathon-i rajonal i Inteligjencës Artificiale 2025” u përfaqësuan 161 pjesëmarrës nga i gjithë Ballkani Perëndimor dhe diaspora, me synimin për të zhvilluar zgjidhje konkrete të bazuara në inteligjencën artificiale (AI) për sfida reale shoqërore.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast, kryeministri Rama theksoi se qeveria synon të çojë përpara procesin duke hapur dyert për të gjithë inovatorët dhe duke krijuar një hapësirë të përbashkët me bërthamë Agjencinë e Ekselencës.

“Kjo do të thotë se duam që startup-et, inovatorët të kenë mundësi të aksesojnë institucionet dhe të shohin nga afër problematikat, por edhe të shfrytëzojnë të dhënat dhe statistikat e tyre, të gjithë atë burim që pastaj është baza e zgjidhjeve përmes Inteligjencës Artificiale”, theksoi Rama.

Kjo sipas tij, “do të bëjë që të prodhohen produkte të reja”.

“Ne kemi sfidën të krijojmë një akselerator shumë të fuqishëm në mbështetje të ministres sonë të Inteligjencës Artificiale, që është vetë inteligjencë artificiale. Natyrisht ky akselerator do të bazohet tek ju, tek kapitali njerëzor që ne kemi brenda AKSHI-t apo Agjencisë së Ekselencës. Me këtë sinergji do të mundohemi që çdonjërit nga institucionet qendrore t’i zgjerojmë trurin me inteligjencë artificiale”, tha Rama.

Kryeministri bëri të ditur se nga 161 idetë e paraqitura në këtë forum është bërë një seleksionim paraprak dhe është përzgjedhur një prej tyre i cili do të vijojë garën në Finlandë.




Comments are closed.