Për ata që i gëzohen “fitores” së Berishës dhe këta që ikin si lepuj
Nga Frrok Çupi/
Në PD, pas gjashtës, ka vërshuar një marrëzi tjetër, marrëzi që ka zgjuar mijëra pyetje. Tani në atë parti mund të merresh vesh veç me pyetje, jo me logjikë. Marrëzia del sheshit kur shpresojnë se ‘me Bashën humbin’ por fitojmë me Berishën… Dhe pas kësaj, instinkti mund t’i shtyjë ata që kanë mbetur brenda në PD që të sulen për te Foltorja, tashmë e degraduar. Turravrapin e tyre mund ta ndalte veç arsyeja, po ku ta marrin?! Arsyeja është kjo: Me Berishën nuk fitohet kurrë…, me Bashën, eh!, edhe mund të ndodhë në këtë shekull. Ligjësia ku bazohet arsyeja: I vdekuri nuk ngrihet më, i gjalli ka nafakë.
Po sa mijë pyetje shtrohen rrugës për atje ku rrinë të gjallë e të pakallur.
Pyetje: A humbi Basha?
Ky humbi më keq se tjetri, por të dy- të humbur. Basha thotë se ka fituar. E kush thotë se në marrëzinë totale PD ku merr frymë edhe Basha, ky të mos flasë marrëzira!? Por akoma më keq për ata që po nxitojnë të ikin si lepuj; ata paskan qenë në flluskën e marrëzisë para datës 6 mars. Cili ishte ai ‘zombie’ që u kishte thënë në vesh se ‘PD do të fitojë”? Humbja e të dy PD-ve ishte e parashkruar, e sigurt; dhe vazhdon të jetë. Kush kërkon tjetër realitet, në fakt kërkon mendtë e tij të humbura.
Po mirë, ky ‘zombie’ që tha se ‘do të fitojmë’, ku e bazoi fitoren e pritshme?
PD ka korrur humbje, pa pushim, që nga viti 2013; as edhe një kokërr lajthi nuk ka çuar në shtëpi. Pushtetin lokal nuk e ka fituar kurrë që nga viti 1992. Kjo dëshmon se nuk i është besuar kurrë administrimi ‘i shtëpisë’ së qytetarit, veçse poterja me ‘Shtëpinë e Lirisë’. Në vitin 1992, në mars fitoi zgjedhjet e përgjithshme, por në korrik (1992) humbi thellë zgjedhjet lokale. Në vitin 2019, edhe pse akoma më këmbë, PD u zvordh prej vetvetes: Nën udhëheqjen e liderit të madh, dogji mandatet dhe iku. Në vitin 2021 udhëheqësi i madh u shpall ‘armik i demokracisë’ dhe i vuri kazmën PD-së. ‘Tani që po iki unë në atë botë, o të marr me vete o të marr frymën!’, tha lideri. PD u nda më dysh dhe u turpërua. Atëherë, si vallë do të fitonte kjo PD. Ose të na tregojnë ku e kanë takuar atë zombie magjistar!
Po Berisha a fitoi?
Mos e bëni këtë mëkat që ta ledhatoni Berishën sikur ‘fitove, doktor!’. Çfarë po pret ai, e çfarë i thoni ju?.. Ç’më sjell në kujtesë kjo pyetje! Në Iran, në revolucionin e Ayetollah Khomeinit, u vu censurë vrasëse. Gazetarët e botës ngelën pa lajm dhe pa fjalë. Kur dëgjohet që dikush thërriste diku në rrugë: ‘Çfarë prisja, po çfarë më gjeti!?”. Gazetarët u mblodhën rreth tij me mikrofonë e të përkulur mbi të, me shpresë për lajm. Ai foli vetëm vonë në mbrëmje: ‘Më ka vdekur nëna,- tha- prisja që babai të martohet me një grua… Por jo; ai burri ça po më bën mua!’.
Ç’i kërkojnë këta Berishës?, s’ka më makabre se t’i kujtosh fitore. Ai i ka larë duart me politikën, që ditën kur Amerika i tha se çdo politikë e tij do të jetë një organizatë si ‘ai burri në Iran’. Vetë PD e ka marrë rrugën drejt greminës pikërisht si meritë e Berishës. Ça hoqi ai njeri për ta shkatërruar këtë PD, dhe më në fund ia doli.
Atëherë pse dalin rrugëve dhe krenohen ‘komsomolasit’ e Berishës?
Kjo është një çështje më vete. Atyre u duhet ‘fitorja’ false që të nisin gjuetinë e tyre. Këta janë o të korruptuarit, o trafikantët e pasuruar, ose anëtarë të policisë sekrete të Berishës. Këta kanë marrë guxim prej luftës së Rusisë në Ukrainë. Fillimisht kanë ngritur linjën anti- amerikane që po bëhet përditë më vulgare. Pastaj mund të nisin vrasjet në rrugë, si në fillimet e pushtetit të Berishës; vrasjen e kundërshtarëve, si gjithë vitet e Berishës në PD.
Po këta që po ikin si lepuj?
Këta e duan fitoren, ‘o tani o s’ka!’. Disa prej tyre e duan pushtetin për vete; por çfarë ndryshimi mund të ketë?! Secili në PD është si secili tjetër; nuk është Luli më keq se Partia dhe më keq se shokët. Por as largimi i tyre nuk bën efekt, megjithëse ata të Foltores po shikojnë siç shikon macja për peshk. Nuk bie Basha! Edhe sikur pesë vetë të mbetën aty, kjo do të jetë PD me kryetar Lulin; mjaft që një nga të pestët të mos jetë SAliu. As mos pritni ndonjë fitore, nga Basha pritet vetëm që Berisha &Co të mos jenë më.
Po parulla e Berishës se ‘tani dua ta bashkoj PD-në’? Kjo parullë më duket se është e vetmja e sinqertë e jetës së Berishës. Ai e ka PD-në si petë lakrori, e hap kur do dhe e shqyen kur do. Kësaj here i duhet e bashkuar; sepse do që t’i hipë në krye. Amerika e ka ndaluar të jetë në PD, por ai do t’i hyjë nga dritarja. Atëherë ‘e ka mundur’ për herë të dytë Amerikën. Por kjo nuk bëhet… vetëm nëse Moska fiton kundër Botës. Atëherë edhe Luli do të jetë bashkë me Saliun. Të dy i kanë sytë nga Moska, si përherë.
Asgjë e re nuk ka ndodhur në PD.