Noka tregon çfarë ndodh pas skadimit të afatit: Më 8 janar hyjmë dhe marrin selinë


I pyetur që nëse Lulzim Basha nuk ikën nga zyrat e PD-së si kryetar, deputeti dhe ish-ministri brendshëm Flamur Noka tha se “nëse më 5 janar, deputeti Basha nuk i hap rrugë rivendosjes se demokracisë në PD, por tenton të vazhdojë ta mbajë peng PD për llogari të Ramës, atëherë më 8 janar do të thirren demokratët e Shqipërisë të bëjnë përmbaruesin paqesor të vullnetit të tyre të shprehur më datë 11 dhjetor në Kuvendin e PD-së dhe të datës 18 dhjetor me Referendum. Selia e PD-së është shtëpia e demokratëve. Askush nuk mund ta mbaj peng këtë shtëpi, sepse demokratët janë pronarët e saj. Luli është peng dhe nuk mund të mbaj peng edhe selinë e demokratëve”– përfundon deputeti i PD-së.
Pra data 8 janar, sipas ish-ministrit të brendshëm, do jetë dita kur demokratët marrin Selinë Blu në duart e tyre, pavarësisht se Roland Bejko i krahut të Bashës deklaroi se “do kemi mbrojtje policinë atë ditë”.
Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD dhe Sekretari për Pushtetin Vendor dhe Decentralizimin (i palës së Bashës), Roland Bejko i pyetur nëse do të jetë në zyrat qendrore të PD për ta mbrojtur kur të shkojë Berisha dhe përkrahësit e tij.
“Unë roje s’jam, as gardian! Nëse sulmohet Selia blu nga njerëzit e Berishës, ka kush e mbron për atë. Na mbron Policia!”- deklaroi njeriu i Lulzim Bashës.
Eunews.al

