×
Saturday, November 1, 2025

Njeriu që na mësoi të mos urrenim

November 1, 2025


Udhëheqësi historik i socialistëve shqiptarë Fatos Nano u largua sot nga jeta, duke lënë pas një trashëgimi politike e cila vë në pozitë të vështirë si partinë e tij ashtu edhe kundërshtarët e tij.
Merita e parë e madhe e Fatos Nanos ishte se ai ktheu garën politike në ish Partinë e Punës, që kishte sunduar për 50 vite në vend si një parti e centralizuar dhe parti-shtet.
Me transformimin e thellë që i bëri Partisë Socialiste në vitin 1991, duke futur në të, ajkën e intelektualëve shqiptarë të majtë, me betejën e tij nga burgu për ndryshimin e PS-së, përballë diversioneve të Berishës, dhe me betejën për të rimarrë kreun e Partisë Socialiste me garë të hapur më 1999 përballë ish-kryeministrit Pandeli Majko, ai demokratizoi në mënyrë përfundimtare Partinë Socialiste, duke e bërë një parti të votës së lirë dhe një parti me institucione demokratike.
Ndërkohë që vuante burgosjen politike nga Sali Berisha prej vitit 1993 në burgun e Bënçës në Tepelenë, ai nisi prej andej betejë për reformimin e partisë dhe ndryshime rrënjësore në udhëheqje të saj, pas zgjedhjeve të vjedhura të 26 majit. Ai nuk u qurravit siç bën sot Sali Berisha, ndonëse ato janë zgjedhjet më të këqija të historisë së Shqipërisë në një shekull, por ktheu sytë nga partia e tij dhe e ndryshoi atë.
Duke qenë nga burgu, ai po përballej me marionetat e Berishës brenda PS-së që kishin për udhëheqës Ilir Metën dhe një krah konservator që duhet të integrohej me ritmin e ri të Partisë Socialiste. Dhe ja arriti t’i bënte.
Ndenja mbi tre orë në qelinë e tij në burgun e Bënçës në korrik të vitit 1996 dhe, në një farë mënyre duke njohur dhe shumë nga afër Berishën, e vetmja ndjesi që kisha kur dola nga qelia ishte se më i burgosur ishte Berisha në vilën nr. 4 në Pallatin e Brigadave sesa ai në birucën nr. 4 në burgun e Bënçës.
Me ardhjen në pushtet në mënyrë plebishitare në vitin 1997, ai ishte i pari udhëheqës shqiptar që shumicën absolute e përdori për të shpërndarë pushtet. Nën sloganin “Do japim pushtet, të bëjmë shtet”, ai ndërtoi një koalicion real të gjerë me çdo ngjyrë ish-opozitare dhe shoqëri civile, duke filluar rifreskimin e thellë të Partisë Socialiste.
Pas ngjarjeve të rënda të shtatorit 1998, pas vrasjes së Azem Hajdarit, ai shmangu luftën civile duke dhënë dorëheqje, dhe pse Berisha i çoi arkivolin në zyrë dhe e anatemoi si vrasës, akuza për të cilën vite më vonë u tha se ishin për arsye politike.
Ai mbeti kryetar i Partisë Socialiste një vit më vonë, falë një beteje reale me kryeministrin Pandeli Majko me një diferencë të ngushtë votash dhe me një garë transparente para syve të gjithë shqiptarëve, duke e bërë Partinë Socialiste një laborator të demokracisë në Shqipëri.
Dy vite më vonë, në vitin 2001–2002, Fatos Nano do të niste një betejë të re, kundër qeverisë së partisë së tij, dhe do të nxirrte në pah për herë të parë rëndësinë e grupit parlamentar në jetën politike të vendit, duke arritur me një betejë disa mujore për “katarsis” të krijojë shumicën parlamentare kundër Ilir Metës dhe ta rrëzojë atë nga pushteti. Pra, brenda dhjetë viteve, ai mori Partinë e Punës dhe e shndërroi në një parti me institucione demokratike, me zgjedhje të lira, me garë të ngushtë për kryetar, me garë të ngushtë për kryeministër dhe me rregulla të qarta loje.
Ai u rikthye në kryeministri në korrik të vitit 2002, pasi arriti të zgjidhte bashkë me Berishën Alfred Moisiun president. Zgjedhja e Moisiut pasoi një raund zhgënjyes për zgjedhjen si president të diplomatit Artur Kuko, por Fatos Nano nuk e la në mes procesin dhe i dha shansin opozitës të jepte emrin e saj.
Kjo ishte edhe një periudhë paqeje e tij me Sali Berishën që shkoi deri në pranverë të vitit 2003. Ata ndërtuan së bashku disa rregulla për institucionet kryesore si Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, KQZ etj., të cilat edhe me rregulla të përshkruara u balancuan politikisht.

Qeverisja e tij u shoqërua me reforma të thella strukturore, dhe ai vazhdon të mbetet kryeministri që ka bërë koncesionin e parë të suksesshëm në Shqipëri, aeroportin e Rinasit dhe hekurudhen e pare elektrike Durres Tirane qe e anulloi Berisha. Gjithë pasardhësit e tij i kanë pasur problematike reforma të tilla për shkak të garës së paracaktuar, ndërsa ai lejoi garë reale. Nën drejtimin e tij u ndërtua sistemi i ri bankar i vendit, u privatizuan bankat shtetërore dhe u futën një sërë bankash të huaja, duke modernizuar vendin.
Po ashtu ai modernizoi sistemin e doganave dhe tatimeve, por pa pasur sukses në betejën kundër korrupsionit në to.
Një liberal i pakorigjueshëm dhe shpërfillës ndaj rregullave dhe protokollit zyrtar, ai krijonte herë pas here skandale me shtypin dhe opinionin publik për shkak të tërheqjes së tij personale.
Guximi i tij për t’u divorcuar dhe martuar në vitin 2001 ishte një standard kulturor në hipokrizinë politike të shoqërisë patriarkale shqiptare.
I rrethuar si çdo kryeministër nga servilë dhe të korruptuar, ai u izolua dhe u shkëput nga realiteti, ndërkohë që po hynte në zgjedhjet e vitit 2005 i sigurt që merrte shumicë absolute. Nën këtë eufori ai injoroi taktikat elektorale dhe i la hapësirë Berishës të krijonte një aleancë taktike që shumonte numrin e deputetëve përmes atij që quhet “Dushku i Madh”, ku në të njëjtën zonë elektorale dilte një deputet nga mazhoritari dhe një nga proporcionali, duke transferuar votat te partitë e vogla sipas një disipline partiake.
Fatos Nano i injoroi këto taktika dhe injoroi edhe aleatët e vet, duke i lejuar që ata të shpallnin kandidatët e tyre. Kështu Berisha në vitin 2005 mori 18 mandate nga përçarja e së majtës dhe mori pushtetin pas aleancës me një parti aleate me Fatos Nanon, Partia Agrare e Lufter Xhuvelit.
Prej atij momenti ai u largua nga politika shqiptare dhe u mor me jetën dhe bizneset e tij private. Ai u bë dy herë aspirant për postin e Presidentit të Republikës, ku të dy palët bënin sikur e respektonin, por realisht nuk e donin president. Pas kësaj u tërhoq në punët e tij dhe pas vitit 2013 konsolidoi një raport privat me Edi Ramën, duke i sugjeruar herë pas here ide dhe mendime të veta.
Pak vite para fundit të jetës së tij ai dha një nga intervistat më të mira të jetës, duke reflektuar mbi burgun e tij dhe shëmtinë e përndjekjes së kundërshtarëve, duke theksuar se nuk ishte i shqetësuar nga burgosja e tij, por nga fakti që Sali Berisha jetonte çdo orë me burgun e tij dhe merrej me çdo prokuror, gjykatës apo institucion që kishte në dorë jetën e Fatos Nanos, dhe këtë e konsideronte si një mallkim të tij për kundërshtarin politik.
Ai u largua sot, në paqe me veten, familjen, fëmijët e tij, gratë që deshi dhe e deshën, dhe mbi të gjitha me Partinë Socialiste, për të cilën mund të thuhet pa frikë se e shndërroi në institucionin e parë demokratik në këtë vend.




Comments are closed.