×
Friday, October 11, 2024

Negociatat me BE/ Shqipëria gati draftet për hapjen e kapitujve 23 dhe 24

March 17, 2020


Qeveria ka bërë gati terrenin për të hapur kapitujt 23 dhe 24 të progres-raportit për integrimin europian. Shumë vende anëtare sot dhanë sinjale pozitive për vendin tonë dhe po tregohet qartë se në maj mund të ketë dritë jeshile. Por hapja e negociatave do të sjellë dhe hapjen kapitujve 23 dhe 24, kapituj që kanë të bëjnë me shtetin ligjor dhe drejtësinë. Në këta kapituj kërkohet që të goditet korrupsioni në nivele të larta.

Qeveria ka çuar në Kuvend raportin për integrimin dhe në të jepen detaje mbi procesin screening, i cili ka të bëjë me përputhjen e legjislacionit. Por aty bëhet me dije se gjithçka është gati për të hapur kapitujt më të rëndësishëm të integrimit. “Për këtë qëllim, në vijim të takimeve shpjeguese për kapitullin 23 dhe 24, Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Brendshme iniciuan përgatitjen e analizës së mangësive ligjore (vlerësimin e shkallës së përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të BE-së) për këta dy kapituj. Për Kapitullin 23 – Gjyqësori dhe të drejtat e njeriut, deri më tani janë finalizuar 53 tabela të përputhshmërisë së legjislacionit nga 61 tabela që do të përgatiten në total, ose 86%. Në përgatitjen e këtyre tabelave është shfrytëzuar edhe asistenca që jepet nga Bashkimi Evropian ose ajo bilaterale, siç janë GIZ, Euralius, projekti Mbështetje e Nivelit të Lartë që ndihmon Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, projekti i binjakëzimit për mbrojtjen e të dhënave personale, etj”, thuhet në raport.

Më tej theksohet se për Kapitullin 24 – Drejtësia, liria dhe siguria, deri më tani janë përgatitur 121 tabela përputhshmërie nga 154 tabela që duhet të përgatiten në total, ose 78%. Në përgatitjen e këtyre tabelave, ministritë dhe institucionet publike shqiptare janë asistuar edhe nga një grup donatorësh, GIZ, SEESAC dhe UNHCR. “Për të dy këta kapituj janë finalizuar raportet e përbashkëta ku jepet një panoramë e përgjithshme e nivelit të përafrimit të legjislacionit shqiptar me acquis e Bashkimit Evropian, ministritë dhe institucionet e përfshira, problematikat e identifikuara dhe rekomandimet për përmirësimin/ adresimin e tyre, si dhe vijon puna për përgatitjen e analizës së kapaciteteve institucionale dhe administrative”, thuhet në raport.

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating



Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments