×
Friday, May 1, 2026

Macron: Njohja e shtetit palestinez, mënyra më e mirë për të izoluar Hamasin

September 19, 2025


Presidenti francez  Emmanuel Macron, në një intervistë për një televizion izraelit, mbrojti vendimin e tij për të njohur shtetin palestinez, duke e cilësuar si “mënyrën më të mirë për të izoluar Hamasin”.

Ai theksoi se kjo njohje është një proces që synon të hapë rrugën për një plan paqeje dhe për “sjellje të reja” nga palët e përfshira.

Macron deklaroi se “njohja e shtetit palestinez është thjesht pranimi se e drejta legjitime e popullit palestinez nuk ka lidhje me Hamasin”, ndërsa kritikoi ashpër ofensivën izraelite në Gaza që, sipas tij, “po shkatërron plotësisht imazhin dhe besueshmërinë e Izraelit në opinionin publik botëror”.

Ai pritet të zyrtarizojë këtë vendim të hënën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku plani është miratuar me shumicë të gjerë dhe përjashton Hamasin nga çdo qeverisje e ardhshme.

Macron akuzoi disa ministra të qeverisë izraelite se po minojnë mundësinë e zgjidhjes me dy shtete dhe paralajmëroi se ishte “shansi i fundit” për ta mbajtur gjallë këtë perspektivë, përballë rrezikut të aneksimit të Bregut Perëndimor.

Sipas tij, vetëm veprimi ushtarak nuk mjafton: “Hamas duhet të shkatërrohet, por qasja ushtarake nuk është e mjaftueshme”.

Presidenti francez shtoi se kishte propozuar të vizitonte Izraelin për të shpjeguar personalisht pozicionin e tij, por autoritetet izraelite refuzuan. Megjithatë, ai tha se do të vazhdojë të punojë me kryeministrin Benjamin Netanyahu, të cilin tha se e respekton.

Macron nuk e përjashtoi mundësinë e “sanksioneve ekonomike ndaj Izraelit”, nëse ofensiva e re në Gaza, të cilën e quajti “një gabim të madh”, do të vazhdojë.




Comments are closed.