Lukashenko “tradhton” Putin, gati për një “marrëveshje të madhe” me SHBA-të


Presidenti bjellorus Aleksandër Lukashenko deklaroi se është i gatshëm për një “marrëveshje reciprokisht të dobishme” me Washingtonin – një marrëveshje që, sipas tij, do të shërbente “ekskluzivisht interesave bjelloruse”.
“Jemi gati të bëjmë një marrëveshje të madhe me ta. Në një peshore janë pyetjet, kërkesat dhe pretendimet e tyre. Në tjetrën janë edhe nevojat tona. Ne do të vendosim. Jemi gati për këtë”, tha Lukashenko.
Në thelb, ai po nënkupton një këmbim: lirimin e të burgosurve politikë – aktualisht mbi 1 mijë e 220 persona – kundrejt heqjes ose lehtësimit të sanksioneve amerikane, të cilat kanë goditur rëndë ekonominë dhe elitën bjelloruse.

Ky veprim vjen ndërsa Lukashenko përballet me presion ekonomik në rritje, izolim ndërkombëtar dhe varësi të shtuar ndaj Rusisë, veçanërisht pas angazhimit të tij pranë Moskës në luftën kundër Ukrainës.
Megjithatë, mënyra se si ai e shpreh ofertën tregon thelbin: interesat personale të diktatorit paraqiten si “prioritete kombëtare”.

