×
Wednesday, October 22, 2025

Lufta në Ukrainë, Rama: Kufijtë e Evropës nuk mund të ndryshohen me forcë

October 21, 2025


Kryeministri Edi Rama ndodhet në Londër për të marrë pjesë në punimet e samitit vjetor të Procesit të Berlinit, edicioni i të cilit për këtë vit mbahet në Mbretërinë e Bashkuar, me praninë e kryetarëve të qeverive, përfaqësuesve të nivelit të lartë të BE-së dhe vendeve partnere të Procesit të Berlinit, institucioneve financiare ndërkombëtare dhe organizatave rajonale të përfshira në proces.

Kryeministri ishte i ftuar në “Future Resilience Forum 2025”, forumi ndërkombëtar i sigurisë dhe politikave globale. Rama u pyet në lidhje me agresionin e Rusisë në Ukrainë, teksa shtoi se nuk mund të pranohet ideja e ndryshimit të kufijve.

Kryeministri Rama shtoi se Moska pavarësisht se ndërron tekstin, ajo kurrë nuk ka ndryshuar “muzikën” e politikës së saj.

“Himni rus u kompozua kohë më parë, pas ndryshimit në politikën e Moskës, kur iku Stalini, Hrushovi i kërkoi autorit të tekstit të himnit të ndryshonte tekstin, dhe e bëri. Më pas, kur Rusia u bë e pavarur nga Bashkimi Sovjetik, Jelcini mori në telefon autorin dhe i tha se duhet të ndryshojmë tekstin – dhe autori shumë herë më i moshuar nga momenti kur bëri variantin e parë, e ndryshoi. Dhe sërish Putin kërkoi një variant tjetër të tekstit, por muzika nuk ndryshoi kurrë. Muzika në Kremlin nuk ndryshon kurrë, teksti ndoshta”, tha Rama.

Rama tha se kufijtë e Evropës nuk mund të ndryshojnë, kjo do të hidhte poshtë atë që është bërë përgjatë gjithë këtyre dekadave të fundit në Europë dhe më gjerë.

“Unë nuk besoj që në ndonjë formë apo mënyrë jo vetëm në Europë, por edhe në vende të tjera të rëndësishme, si Kina për shembull, do të mund të pranonin ndryshimin e kufirit, sepse e thonë të gjithë qartë që integriteti territorial i Ukrainës duhet të jetë i paprekshëm. Por nga ana tjetër, ka forma të ndryshme marrëveshjesh, të cilat mund t’i çelin rrugën paqes apo në formën e një konflikti të ngrirë pa pranuar asnjë ndryshim kufijsh.

Unë besoj që kjo është një qasje mjaft e drejtë, pasi nëse pranojmë ndryshimin e kufijve me forcë, atëherë do të pranonim që çdo gjë që kemi ndërtuar për gjithë këto dekada, është shuar dhe që gjithçka është e hapur që kushdo të marrë çfarë të dojë me forcë”, tha Kryeministri.

“Siç ju thashë, nuk e kam takuar Putinin dhe nuk kam folur me të se çfarë është i prirur të pranojë. Është e qartë që Rusia, që ai ka bërë shumë mirë këtë paraqitjen e këtij kali madhështor të Rusisë dhe këtë frikën e rrethimit nga NATO. Ka luajtur me forcë dhe me sukses me opinionin e vet publik letrën e moslejimit të NATO-s që t’i afrohet kufirit rus, por përtej kësaj, sidoqoftë dëmi që po i shkakton Rusisë në një periudhë afatmesme, afatgjatë është i jashtëzakonshëm. Momenti i vërtetë i lidhjes me realitetin dhe numërimit të plagëve të Rusisë do të vijë kur të përfundojë lufta”, përfundoi Rama.




Comments are closed.