×
Sunday, September 25, 2022

Kriza në Ukrainë, Rama: Do të bëjmë gjithçka mundemi për banorët që vuajnë pasojat e konfliktit

January 20, 2020

“Konflikti vazhdon të marrë jetën e qytetarëve të pafajshëm dhe kjo është e papranueshme dhe duhet të ndalojë, prandaj qëllimi ynë, së pari e mbi të gjitha është të garantojmë armëpushim të plotë e të qëndrueshëm”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, gjatë vizitës së tij në Kiev, në cilësinë e kryetarit të OSBE-së, duke folur për adresimin e krizës në dhe rreth Ukrainës.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm të Ukrainës, Vadym Prystaiko, Rama tha se “nuk është rastësi që vizita ime e parë zyrtare si President i OSBE-së është në Ukrainë dhe reflekton rëndësinë e madhe që i jap adresimit të krizës në dhe rreth Ukrainës”.

“Në këndvështrimin tim kjo mbetet çështja më kryesore për sigurinë dhe stabilitetin në Europë sot. Do bëjmë më të mirën tonë që të garantojmë respektimin e parimeve të OSBE-së dhe angazhimit të saj, e sigurisht do të inkurajojmë fort zbatimin e plotë të marrëveshjeve të Minskut, në mbështetje të përpjekjeve nga Grupi Tripalësh i Kontaktit si dhe procesit të Formatit të Normandisë”, tha Rama.

Ai theksoi se “ndërkohë që marrëveshjet e kontaktit dhe të formatit po diskutohen prej kohësh e mbase do na duhet ende shumë kohë, ajo që mbetet thelbësore çdo ditë është jeta e njerëzve dhe vështirësitë me të cilat duhet të përballen të gjithë ata që jetojnë në zonat e konfliktit”.

“Aty do të punojmë pandërprerë për të bërë çdo gjë të mundur, sepse duhet të garantojmë ndalimin e zjarrit dhe armëpushimi i qëndrueshëm është absolutisht jetësor së pari, e më e rëndësishmja për jetën e njerëzve”, tha ai.

“Rinisja e dialogut të nivelit të lartë dhe rezultatet e Samitit të Normandisë janë hapa në drejtimin e duhur. Megjithatë, ka ende shumë për të bërë dhe të gjithë e dimë që rruga drejt paqes së qëndrueshme është e gjatë. E dimë të gjithë. Dhe jam këtu për t’ju thënë që përfaqësuesi im special në Ukrainë dhe në Grupin Tripalësh të Kontaktit, Ambasador Heidi Grau, do të hulumtojë me pjesëmarrësit mënyrën më të mirë për të ecur para”, tha ai.

Rama theksoi se, “në takim me ministrin Prystaiko ndamë bindjen që kontributi i dhënë nga gratë e burrat e përkushtuar të Misionit Special të Monitorimit nga OSBE në Ukrainë është unik dhe thelbësor në uljen e tensionit dhe nxitjen e paqes”.

“Unë ndava me ministrin nevojën për ta forcuar e mbështetur më shumë me një buxhet më të fortë e për t’u siguruar që ky Mision Special i Monitorimit jo vetëm vazhdon të luajë rolin e tij, por e luan rolin e tij edhe më mirë me kapacitete më të mëdha dhe me mbështetje teknologjike”, tha Rama.

“Shpresoj shumë të mbajë koha e ta përfundojmë këtë vizitë me një udhëtim drejt Ukrainës lindore, ku dua të shoh me sytë e mi situatën e sigurisë dhe atë humanitare në zonat e ndikuara nga konflikti dhe ndikimin praktik të SMM në terren”, shtoi ai.

Rama siguroi edhe njëherë për vendosmërinë dhe përkushtimin e tij dhe të gjithë skuadrës së njerëzve të OSBE-së për të ndihmuar që të sjellim rezolutën e paqes në këtë konflikt dhe mundësisht të përmirësojmë jetën e personave të ndikuar brutalisht nga ky konflikt.

I pyetur për prioritetet e presidencës shqiptare të OSBE-së për të lehtësuar jetesën e popullsisë që banon në zonat e konfliktit në Ukrainë, Rama tha se “ky është thelbi i misionit tonë”.

“Jemi të ndërgjegjshëm që ka shumë aktorë të mëdhenj dhe praktikisht shumë të tjerë që bëjnë përpjekje në nivelet e larta të këtij konflikti, por jo shumë prej saj përqendrohet te njerëzit e thjeshtë, te banorët që duhet të jetojnë në këtë konflikt e të vuajnë pasojat”, tha Rama.

Ai tha se “ndihemi shumë të nderuar që mund të bëjmë gjithë ç’duhet e ç’mundemi për ata”. “Me shumë kënaqësi dëgjova prej ministrit vetë sa shqetësim ka nga ana e Ukrainës për pikërisht njerëzit e thjeshtë dhe sa tension e përpjekje kanë bërë autoritetet ukrainase dhe duan të vazhdojnë të bëjnë në adresimin e këtyre vështirësive. Nuk jemi këtu për të premtuar ndonjë mrekulli, e dimë shumë mirë që kjo është një krizë shumë e ndërlikuar dhe jemi këtu sepse e dimë edhe që ka diçka që mund ta bëjmë më mirë se të tjerët për të ndihmuar të lehtësojmë sa më shumë të jetë e mundur jetët e atyre që janë në terren dhe janë plotësisht të pafajshëm e nuk e meritojnë të vuajnë pasojat dhe brutalitetin e këtij konflikti”, tha Rama.

Ai tha se “ky është prioriteti ynë kryesor, të ndryshojmë sa mundemi gjendjen në terren, ndërkohë që formulat dhe kontaktet dhe fjalët e mëdha sillen rrotull dhe mundësisht arrijnë rezultate më të mëdha”.

“Ne duam ta nisim me këtë ndryshimin, sa më shumë të mundemi, do bëjmë më të mirën tonë, kemi njerëz shumë të zotë në terren. Do të bëjmë gjithë ç’mundemi për të vënë më shumë njerëz në terren, më shumë burime dhe do të luftojmë për këtë, siç është kërkuar edhe nga ministri dhe qeveria e Ukrainës, sepse kjo ka të bëjë me njerëzit dhe njerëzit janë më të rëndësishmit”, tha ai.

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating


Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments