Kriza globale e koronavirusit dhe roli i Europës
Nga: Meland Qirko
Një analizë e shkurtër e krizës jo vetëm mjekësore e krijuar nga pandemia e radhës, e bazuar si në historinë e largët ashtu dhe në studimet më te fundit.
Dëgjojmë shpesh nga lider të ndryshëm të shteteve “Jemi në luftë!”
Në luftë ka zakonisht 2 zgjedhje, njëra është lufta frontale kunder armikut, ku burime të mëdha shpenzohen, pavarësisht “dëmeve kolaterale” në të pafajshëm, në përdorimin masiv të burimeve e në humbje të madhe të tyre ( në këto raste më vjen ndërmend beteja e Vaterlosë). Zgjedhja tjetër është ajo që quhet “ndërhyrje kirurgjikale” në zemër të problemit me një preçision të saktë. Që të kesh këtë ndërhyrje duhet të dish problemin dhe faktorët që ndikojnë. Çfarë na thotë shkenca dhe historia për epidemitë? A mundet që mësimet e nxjerra nga ato të na japin zgjidhjen e saktë për këtë situatë?

Gjëja e parë që dëgjon shpesh tani është që globalizmi ka ndikuar shumë keq për përhapjen dhe efektet e epidemisë, e ne po paguajmë kostot e tij. Si rrjedhojë zgjidhja që jepet është de-globalizimi. Çfarë ka ndodhur në kohën para globalizmit?
Historia dhe biologjia na ka vërtetuar se viruset dhe mikrobet kanë qënë të parat në këtë planet, rreth 3.5 miliardë vjet më parë, shumë kohë para se njeriu (homo sapiens ka rreth 70 mijë vjet) të ecte e të fillonte të jetonte në këtë planet. Njeriu i ka gjetur dhe shërbyer viruseve e baktereve si faktor shumimi prej kohësh. Si i tillë, edhe ka vuajtur epidemi e pandemi nga më të ndryshme. Në shek. XIV, pandemia e ashtuquajtur “murtaja e zëzë”, vrau 1/4 e popullsisë së botës, (shifrat lëvizin nga 75 deri 200 milionë) dhe u përhap brenda dekadës nga Azia Lindore deri në Europë Atëherë nuk kishte as trena, as makina, e jo më avionë apo mjete të tjera të transportit të shpejtë. Firence humbi në atë kohë 50 mijë banorë nga 100 mijë që kishte në total. Madje dhe Londra në një mbretëri të izoluar sic ishte Anglia para 1340, humbi 1 në 4 persona.
Epidemitë e lisë ndërkohë vazhdonin në mënyrë endemike në Europë, Lindjen e Mesme e të Largët. Në Mars të vitit 1520, një person i vetëm i infektuar me sëmundjen e lisë, zbret në brigjet e Meksikës. Në atë kohë në Amerikën Qëndrore, jo vetëm që nuk kishte trena e makina, po s’kishte as gomerë!
E megjithatë sëmundja e lisë pushtoi gjithë Amerikën Qëndrore brenda vitit, duke vrarë rreth 1/3 e popullsisë!
Në 1918, i ashtuquajtur gripi spanjoll, u shpërnda brenda disa muajsh në të gjithë cepat e globit! Infektoi 500 milion njerëz e vrau rreth 100 milionë! Transporti i shpejtë dhe teknologjia, që nga lufta e parë botërore është shumëfishuar, dhe si rrjedhim, në 100 vjecarin në vijim, njerëzimi, me shpejtësinë e transmetimit të viruseve në rang global, do të përjetonte një furtunë epidemish, pandemish e vdekjesh. Një virus sot mund të transportohet nëpërmjet faktorit NJERI, nga Hong Kong në Nju Jork brenda ditës.
Por ndodhi krejt e kundërta. Jo vetëm që vdekshmëria ka qënë shumë e vogël nga sëmundjet epidemike, por dhe vetë epidemitë kanë qënë më të pakta. Vërtetë në 1967 u kalua një epidemi e sëmundjes së lisë ku u infektuan 15 milion njerëz, por në dekadën në vazhdim, OBSh ndërmori një fushatë globale të vaksinimit. Në 1979 OBSH shpalli fitoren kundrejt kësaj sëmundje dhe në 2019 nuk ka patur asnjë të sëmurë e jo më të vdekur. Ka pas sëmundje të tjera të rrezikshme që kanë shpërthyer në epidemi, si AIDS apo EBOLA, por incidenca dhe vdekshmëria ka qënë shumë e vogël, pavarësisht globalizmit e rritjes së kontaktit nga një shtet në tjetrin.
Fitorja kundër viruseve nuk erdhi nga izolimi, mbyllja e kufijve apo evitimi i mjeteve të transportit. INFORMACIONI ishte arma kryesore në këtë luftë, GRUMBULLIMI i një informacioni të besueshëm shkencor dhe AGREGIMI i tij.
Shkëmbimi i informacionit ka qënë kyc në gjithë historinë e zhvillimit njerëzor. Procesi më i dukshëm ky duket influenca e këtij faktori është zhvillimi i teknologjisë dhe shkencës. Teknologjitë e para të njeriut kanë qënë zjarri dhe rrota. Por që nga shpikja e tyre e deri te zhvillimi i armëve të tilla si topi,që u përdor në mesjetë kaluan mijëra vjet. Nga kjo kohë deri në shek. e 19 ku filluan teknologjitë e reja që nga armët e zjarrit e deri te motori me djegie të brendshme, makinat e para apo anije me avull, kaluan rreth 500 vjet. Sikur të merrje një njeri nga mesjeta e ta katapultoje në fund të shek të 19, apo fillim të shek. të 20 do shokohej e do i dukej si magji makina me 4 rrota që ecte vete pa kuaj, apo llampat qe ndriconin pa u harxhuar si qirinjtë e shumë teknologji të reja të asaj kohe. E megjithatë sikur të merrje një njeri nga shek i 19 e ta katapultoje ne 2010, (tashmë 100 vjet e jo 500) do të kishte po të njejtin efekt nga teknologjitë e përdorura, që nga Televizori e deri te smartphone-at. Por edhe për ne vetë teknologjitë e tanishme, para 20 vjetesh do na dukeshin fantashkencë. Në gjithë këtë zhvillim eksponencial, shkëmbimi i informacionit ka qënë kyc. Në kohët e lashta informacioni kalonte gojë më gojë, deri në shpikjen e shkrimit, por ajo qe i dha nje shtysë të vërtetë shkëmbimit të informacionit ishte shpikja e shtypit të shkruar në shek 15. Kjo i dha zhvillim përhapjes së librave në të gjithë Europën, njëkohësisht zhvillimit të shkencave dhe themeleve për zhvillimin e teknologjive të shek të 19-20. Tashmë informacioni dixhital është i aksesueshëm brenda momentit edhe në cepin më të largët të globit. Shpejtësia e shkëmbimit të informacionit është zhvilluar në mënyrë eksponenciale dhe po ashtu dhe zhvillimi e përparimi i njerëzimit.
SI KA NDIKUAR INFORMACIONI NE VENDIMARRJE?
Në shek e 14 njerëzit besonin te ëngjëjt e zanat, po nuk mund ta imagjinonin dot që shkaktari i “mortajës së zëzë” ishin ca organizma që nuk i shihnin dot. Mendonin se ishte mallkim apo zemërim i zotit, dhe liderat e atëhershëm sa herë kalonte një epidemi organizonin lutje kolektive, gjë që në vend të rregullonte ndonjë gjë, ndikonte akoma më keq në përhapjen e epidemisë.
Tashmë mjekëve dhe shkencëtarëve iu desh vetëm 2 javë për të përcaktuar sekuencën gjenetike të SARS COV 2.
Sa më shumë informacion të saktë të disponosh, aq më mirë e përcakton shkakun. Duke ditur shkakun vendimarrja për masat kundër tij dhe eliminimi i tij është me e lehtë për këdo.
ATEHERE CFARE NA MESON E KALUARA në lidhje me krizën nga Coronavirusi?
2 gjëra kryesore dalin nga kjo analizë:
E para: Mbyllja e kufijve, izolimi e heqja e mjeteve të transportit, që nga makinat e deri te avionët, nuk të mbrojnë! Nuk mbrojtën as Anglinë në shek e 14.
Duke patur parasysh nivelin e izolimit të Anglisë para vitit 1348, a jemi të gatshëm të kalojmë në kohën e STONEHENGE? Nuk e besoj…

E dyta: Kundër këtij patogjeni, fitorja arrihet nëpërmjet INFORMACIONIT dhe Bashkëpunimit Global.
Vendi i parë që preket nga epidemia duhet të ndajë informacionin dhe të dhenat pa patur frikë nga izolimi ekonomik dhe pasojat – nga ana tjetër, vendet e tjera duhet ta marrin të mirëqënë informacionin dhe të jenë të gatshëm për të ndihmuar vendin përkatës e jo ta izolojnë e ta veçojnë. Kjo duhet të jetë e dyanshme. Kina sot ka shumë informacione që mund të ndihmojnë vendet e tjera, por ato duhet të besojnë e të bashkëpunojnë. Në vend të kësaj kemi parë vende që bllokuan cdo gjë nga Kina, jo vetëm komunikimin.
Izolimi e karantina janë efektive në një kohë afatshkurtër. Por dhe kjo zgjidhje ka nevojë për bashkëpunim ndër shtetesh. Ajo që është vënë re, ka qënë marrja e masave të karantimit me vonesë. Kjo kuptohet kollaj: do ishe gati të bllokojë të gjitha qytetet dhe si rrjedhojë dhe ekonominë, që në rastet e para, nëse nuk do ishe i sigurt që shtetet e organizmat e tjerë do të ndihmoni? Dyshoj, por nëse kjo mbështetje do ishte e siguruar, jam i bindur që bllokimi do realizohej që në rastin më të parë.
POR, ME E RENDESISHMJA, është që njerëzimi duhet të kuptojë që një epidemi e nje vendi është një shqetësim për të gjithë globin! Kjo për arsyen e thjeshte se viruset evolojnë si rrjedhojë e mutacioneve gjenetike. Ashtu si në rastin e SARS, MERS apo EBOLA, edhe tani virusi është transmetuar nga një kafshë te njeriu ( vërtetuar nga disa studime si psh https://www.nature.com/articles/s41591-020-0820-9), përkatësisht nga Pangolini malajzan ( emri shkencor Manis javanica).
Vetia e ketyre viruseve është që pasi futen në qelizat e njeriut, pësojnë mutacione, me miliarda, dhe mjafton nje nga keto mutacione të rastësishme te sigurojë lidhjen me faktorin e ri, qe në këtë rast është njeriu, si dhe transmetimin e tij nga një person te tjetri, kjo siguron mbijetesën e këtij organizmi, duke kthyer specien më të përhapur të planetit, njeriun, në shërbim të vetes!
Këto mutacione mund të ndodhin si në virusin normal të gripit ashtu dhe në raste të viruseve të rrallë si Ebola në Guinea apo SARS COV-19 në Wuhan. Cështja është që këto nuk ngelin aty ku krijohen po shumë shpejt, ashtu sic e kemi parë, përhapen në mënyrë eksponenciale në popullsi.
Detyra e njerëzimit është të izoloje armikun. Kjo nuk ka të bëjë me izolimin gjeografik. Ka të bëjë me izolimin mjekësor e ruajtjen e atij kufiri që ndan njeriun nga bota e viruseve. Ky kufi kalon te trupi i qënies njerëzore, rojet e të cilit jane ata mijëra doktorë, shkencëtarë, infermierë e laborantë. E megjithatë zona të tëra të këtij kufiri qëndrojnë akoma të paruajtura nga ky sistem! Me miliona njerëz në Afrike apo dhe vende të tjera ndodhen jashtë shërbimit shëndetsor bazë. Por njerëzimi e lidershipi botëror duhet të kuptojë se një problem epidemie në Afrikë apo në Lindjen e Largët është problem edhe për një amerikan apo gjerman. Përqasja e kohëve moderne, ku secili shikon interesin e vet, nuk është zgjidhje për këto raste, përkundrazi!

Cfarë po bën lidershipi?
Kjo është nje krizë, jo vetëm mjekësore, por në radhë të parë besimi! Që cdo gjë të funksionojë duhet që njerëzit të besojnë shkencën e mjekësine, qytetarët të besojnë autoritetet, shtetet të besojnë te qeveritë e shteteve të tjera!
Fatkeqësisht kemi dëshmuar shumë politikanë të papërgjegjshëm në të kaluarën që me qëllim kanë dezinformuar apo fshehur informacion, duke minuar besimin te shkenca e autoritetet. Shpeshherë përmendin dhe zotin, duke më kujtuar perandorët apo mbretërit bizantinë, që për ti dhënë autoritet vetes, reklamonin nëpër ikona imazhin e tyre krahas me Shën Mërinë apo Jezu Krishtin.
Si rezultat po përjetojmë një periudhë me mungesë të nje lidershipi botëror që mund të organizojë, financojë dhe inspirojë një sipërmarrje globale për të luftuar kundër kësaj epidemie po dhe të tjerave në të ardhmen!
Në shumë nga analizat e bëra këto kohë, edhe në shtypin ndërkombëtar, (citoj këtu Yuval Noah Harari në shkrimin e tij Financial Times ) është vlerësuar në 2014, në epideminë e Ebolës, roli lider i SHBA, por fatkeqësisht administrata e tanishme e ka bërë të qartë që në sipërmarrjet ndërkombëtare, Shtetet e Bashkuara do të kenë rol vetëm nëse kanë interes! Kush është ai që e ndjek një lider që thotë, unë i pari, pastaj të behet ç’të bëhet me të tjerët? Madje ka arritur deri atje sa të kërkonte monopolizimin e vaksinës duke shpenzuar 1 miliard dollarë për një kompani gjermane, apo bllokoi udhetimet me EU pa i dhënë një njoftim paraprak.

Ky boshllëk që kanë lënë Shtetet e Bashkuara, jo vetëm që nuk është mbushur, por thelluar më tej me mosbesim midis qeverive, ksenofobi, bllokim e izolim.
Kjo do të ishte një MUNDESI E ARTE për Europën të merrte pozicionin e këtij lideri. Të kordinonte jo vetëm informacionin, por dhe organizimin e masave në nivel global, financimin e tyre e rivendosur besimin te autoritetet e shkenca! Cfarë po ndodh është komplet e kundërta, vendet e EU janë izoluar, kanë mbyllur kufijtë, e vendet më të vogla janë lënë në mëshirë të fatit. Edhe brenda EU vendet më të mëdha, në vend të bashkëpunojnë e kordinohen, kanë kaluar në një krizë besimi: Gjermania forcon kufijtë me Francen, Franca kërcënon Britanine me mbyllje totale kufijsh. Kur dy zihen i treti fiton, e në këtë rast i treti është Coronavirusi.
Bashkëpunimi e kordinimi global do të ishte nje fitore jo vetëm kundër Coronavirusit por dhe kundër patogjenëve të ardhshëm!
Gjithë sytë nga Europa.
Eunews.al







