×
Tuesday, October 14, 2025

Kremlini mirëpret përpjekjet e Trump për paqe në Ukrainë

October 14, 2025


Kremlini tha sot se mirëpret dëshirën e presidentit amerikan Donald Trump për t’u fokusuar në arritjen e një marrëveshjeje paqeje që do t’i jepte fund luftës në Ukrainë, pasi ai ndihmoi në arritjen e një armëpushimi në Gaza, sipas “Reuters”.

Zëdhënësi Dmitry Peskov shprehu shpresën se Trump do të mund ta shtynte Kievin drejt një zgjidhjeje.

Një ditë më parë, duke folur në Knessetin izraelit pas ndërmjetësimit të marrëveshjes mes Izraelit dhe Hamasit, presidenti Trump deklaroi se dëshiron të arrijë edhe një marrëveshje me Iranin për programin e tij bërthamor, por se fillimisht do të përqendrohej në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

“Së pari duhet ta përfundojmë çështjen me Rusinë. Le ta zgjidhim atë fillimisht. Nëse nuk të shqetëson, Steve, le të fokusohemi te Rusia”, tha Trump, duke iu drejtuar Steve Witkoff, të dërguarit të tij të posaçëm që ka zhvilluar më parë bisedime me presidentin rus Vladimir Putin.

Peskov tha se Rusia mbetet e hapur ndaj negociatave për paqe. “Sigurisht që mirëpresim këto qëllime dhe konfirmimin e vullnetit politik për të bërë gjithçka të mundur në kërkim të zgjidhjeve paqësore”, deklaroi ai.

“E njohim mirë Z. Witkoff; ai është prdokutiv, e ka dëshmuar këtë në Lindjen e Mesme, dhe shpresojmë që aftësitë e tij diplomatike të kontribuojnë edhe në procesin që tashmë është në zhvillim për Ukrainën”, tha Peskov.

Sipas Kremlinit, Ukraina ka vonuar negociatat dhe nuk ka realizuar idenë për ngritjen e grupeve pune që do të shqyrtonin aspektet e mundshme të një marrëveshjeje. Nga ana tjetër, Kievi akuzon Moskën se nuk është serioze për paqen dhe se paraqet kushte që praktikisht kërkojnë dorëzimin e tij.

“Pala ruse mbetet e hapur dhe e gatshme për dialog paqësor, dhe shpresojmë që ndikimi i Shteteve të Bashkuara dhe aftësitë diplomatike të të dërguarve të presidentit Trump të ndihmojnë në inkurajimin e palës ukrainase për t’u bërë më aktive dhe më e gatshme për t’u angazhuar në procesin e paqes”, shtoi Peskov.




Comments are closed.