×
Wednesday, September 11, 2024

Koronavirusi, Soreca: Qeveria shqiptare mori masa të njëjta si me disa vende të BE

April 27, 2020


Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca, vlerësoi sot masat e marra nga qeveria shqiptare në përballimin e krizës së pandemisë së koronavirusit që ka prekur edhe vendin tonë.

Në një intervistë televizive, Soreca e cilësoi si mjaft dramatike situatën që po kalon Italia si pasojë e koronavirusit, por ai vlerësoi ndihmën që dha Shqipëria.

“Është një situatë e vështirë, një situatë dramatike në Itali. Familja ime jeton atje. Shqipëria e tregoi qartë solidaritetin e vet me Italinë.  Ndihma që Shqipëria i dha Italisë u perceptua kaq mirë nga italianët. Kur e shikojmë Italinë dhe Shqipërinë besoj se bëhet fjalë vërtetë për një vëllazëri të vërtetë për një solidaritet të vërtetë”, tha Soreca.

I pyetur për zgjatjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, Soreca tha se, “kjo situatë ka qenë e qartë që prej fillimit sa i takon masave që duheshin marrë dhe qeveria ndërmori në fakt masa të menjëhershme që prej datës 10 mars. Megjithatë këto masa duhet të jenë masa të një natyre të përkohshme, që do të thotë se çfarë do lloj kufizimi sa i përket të drejtave të njeriut dhe lirive themelore të njeriut, këto duhet të jenë shumë mirë të justifikuara në aspektin kohor sa u përket aplikimit të tyre, megjithatë është qeveria që e ka të gjithë informacionin që e ka marrë në konsideratë. Ne do të vazhdojmë ta ndjekim situatën nga afër. Megjithatë në mënyrë që Shqipëria të jetë në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut duhet të them që çfarëdolloj kufizimi duhet të jetë i kufizuar në aspektin kohë dhe nuk duhet të harrojmë që Shqipëria mori masat e kësaj gjendje të jashtëzakonshme dhe në nëntor të vitit të shkuar pas tërmetit, ndërkohë jemi dhe në këtë situatë të koroanvirusit dhe kjo është situata që jemi dhe këto janë gjërat që duhen marrë parasysh”.

I pyetur në lidhje me situatën e ekonomike pas tërmetit dhe pandemisë që  kanë goditur vendin, Soreca tha se, “kjo është sfida e vërtetë më të cilën përballet Shqipëria, menaxhimi i krizës që është edhe shqetësim i menjëhershëm. Është shumë me rëndësi që në raste të tilla të ketë një plan që ndiqet. Qeveria që në fillim ka folur për disa paketa financiare, për disa iniciativa që i ndërmori. Ndërkohë BE ka qenë tejet i pranishëm. I keni dëgjuar njoftimet për paketat me të cilat e kemi ndihmuar Shqipërinë. Si fillim paketa prej 4 milionë eurosh në formë granti, më pas 46 milionë euro. Por përveç këtyre edhe 180 milionë euro që do t’i jepen Shqipërisë për të ndihmuar ekonominë e vendit dhe rimëkëmbjen ekonomike të vendit. Është shumë e rëndësishme që të gjithë kujdesen për ata që janë më vunerabël, familjet e varfra, biznesi i vogël. Gjërat nuk do të mund të bëhen sot për nesër. Do të duhet kohë, por duhet të ketë planifikim dhe asistencë financiare. Duke pasur këto të dyja jam i sigurt që Shqipëria do t’ia dalë mbanë”.

I pyetur se cilët janë sektorët ku do të përqendrohet ndihma e KE, Soreca tha se, “asistenca e BE, e KE do të jetë edhe në gjithë botën. Për Shqipërinë bëhet fjalë për 230 milionë euro, 50 milionë euro që i përmendëm dhe 180 milionë euro me kushte të favorshme. KE dhe qeveria e Shqipërisë po negociojnë në lidhje me një marrëveshje mirëkuptimi që do të përcaktojë edhe kushtet e vënies në zbatim të 180 milionë euro. Kjo marrëveshje mirëkuptimi do të nënshkruhet shumë shpejt dhe fasha e parë e parave do të disbursohet në muajin korrik me objektivin e qartë që këto para të përdoren në përputhje me objektivat e qeverisë shqiptare, përsa i përket mbrojtjes sociale dhe rimëkëmbjes ekonomike të vendit. Ne kemi qenë shumë  të lumtur që BE përveç fondeve për tërmetin ka pasur mundësi të ndihmojë Shqipërinë edhe për pandeminë”.

I pyetur se si e shikon menaxhimin e emergjencës shëndetësore nga ana e qeverisë shqiptare, Soreca u shpreh se, “jam i mendimit që qeveria ka reaguar në formë të menjëhershme që prej fillimit, janë marrë masat në lidhje me situatën. Këtë e ka bërë duke ndjekur dhe këshillat që i kanë dhënë ekspertët teknikë. Përgëzoj qytetarët shqiptarë që janë treguar tejet të disiplinuar sa i përket respektimit të masave të caktuara nga qeveria”.

Soreca shtoi se, “jemi në fazën e dytë ku duhen masa të tjera dhe janë dhënë këto masa. Masat që ka ndërmarrë Shqipëria janë në përputhje me ato që janë marrë nga shumë shtete të ndryshme të BE dhe po sjellin edhe rezultate pozitive”.

I pyetur  nëse mendon se politikanët shqiptarë duhet të bëhen bashkë në këto kohë të vështira, si rasti i Presidentit që e ka shtrirë dorën e bashkëpunimit ndaj qeverisë, Soreca tha se, “bashkëpunimi institucional që ka ndodhur gjatë javëve të kësaj krize ka qenë dhe një nga arsyet se pse kriza është menaxhuar në mënyrën e duhur. Presidenti që është kryetari Këshillit Kombëtar të Sigurisë, e ka mbledhur dy herë Këshillin ku kanë qenë të pranishëm ministrat e qeverisë, por edhe udhëheqësi i opozitës, Basha. Janë marrë disa veprime. Në të njëjtën tryezë këta udhëheqës politikë kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin për të treguar këtë përparim që ka pasur Shqipëria lidhur me menaxhimin e krizës dhe kjo është një nga arsyet për suksesin e deritanishëm”.

Soreca nënvizoi se, “opozita ka një rol shumë të rëndësishëm për të luajtur. Ajo stimulon qeverinë në punën e vet, por edhe jep propozime që janë shumë të rëndësishme. Këtë e kemi parë me anën e punës që ka bërë Basha ashtu dhe Hajdari në parlament. Presidenti e ka përfaqësuar atë lidhje, atë hallkë mes këtyre institucioneve brenda Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Shpresoj shumë që kjo frymë kompromisi që kemi parë deri tani do të vazhdojë edhe më pas”.

I pyetur në lidhje me procesin e integrimit, se në çfarë faze është Shqipëria me reformat dhe detyrat që i janë lënë nga KE, Soreca tha se, “së pari më lejoni që përgëzoj Shqipërinë për atë vendim aq të rëndësishëm që u mor me 25 mars nga Këshilli Europian për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE. Tashmë e dimë se ai vendim i rëndësishëm ka mbetur paksa në hije nga kriza e pandemisë, por është shumë e rëndësishme që Shqipëria është në pjesën e fundit të këtij procesi, sa i përket çeljes së negociatave. Shqipëria do të duhet të përmbushë disa kushte. Besojmë se KE në qershor do të nxjerrë raportin vjetor për Shqipërinë së bashku me kuadrin negociues. Pasi të jetë miratuar kuadri negociues nga Këshilli i BE atëherë thirret edhe konferenca e parë ndërqeveritare me kusht që Shqipëria të ketë përmbushur disa kushte”.

“Është shumë e rëndësishme pikërisht tani që të punohet për përmbushjen e këtyre kushteve, të planifikohet puna, të përfshihen të gjitha palët, të gjitha institucionet. Sigurisht qeveria  së pari, opozita, Presidenti, shoqëria civile, institucionet e ndryshme të gjyqësorit në mënyrë që të ketë një bashkim kombëtar. Të gjithë të jenë të bashkuar rreth këtij objektivi për Shqipërinë dhe qytetarët dhe që kjo frymë kompromisi dhe bashkëpunimi që është parë gjatë krizës të përdoret në mënyrën e duhur dhe të vijojë në mënyrë që të kemi konferencën e parë ndërqeveritare ndërmjet Shqipërisë dhe BE sa më shpejt të jetë e mundur. Por e gjitha kjo varet nga plotësimi i kushteve nga ana e Shqipërisë”, tha Soreca.

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating


Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments