Finlanda mbyll pjesërisht hapësirën ajrore pranë kufirit me Rusinë

28 Jul 2026 16:44
Shpërndaje:

Finlanda ka vendosur të mbyllë një pjesë të hapësirës së saj ajrore në juglindje të vendit, pranë kufirit me Rusinë, në një masë që autoritetet e cilësojnë parandaluese dhe të lidhur me zhvillimet e luftës në Ukrainë.

Ministria finlandeze e Transportit dhe Komunikacionit njoftoi se kufizimet prekin rajonin Kaakkois-Suomi, ndërsa pilotëve u është kërkuar t’i marrin ato parasysh gjatë planifikimit të itinerareve të fluturimit.

Masat zbatohen si për avionët me pilot, ashtu edhe për dronët, duke kufizuar përdorimin e hapësirës ajrore në zonën e prekur.

Reklamë Ola

Sipas raportimeve të mediave finlandeze, vendimi lidhet me shqetësimet për sigurinë në rajon, në sfondin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës. Burime nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Finlandës kanë bërë të ditur se masa është tërësisht parandaluese.

Autoritetet theksojnë se Ukraina ka ndërmarrë kohët e fundit sulme me dronë ndaj objektivave në rajonin rus të Leningradit, pranë kufirit me Finlandën, çka ka shtuar nevojën për masa shtesë sigurie.

Reklamë InterMedika

Ndërkohë, Forcat Ajrore Finlandeze do të zhvillojnë ushtrime të posaçme për mbrojtjen kundër sulmeve me dronë në pjesën lindore të Gjirit të Finlandës, si dhe në rajonet Kymenlaakso dhe Karelia Jugore, të cilat kufizohen me Rusinë.

Në kuadër të përgatitjeve për situata emergjente, një delegacion i Departamentit të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit të Helsinkit ka zhvilluar gjithashtu një vizitë katërditore në Ukrainë për të studiuar përvojën e ekipeve ukrainase në menaxhimin e pasojave të luftës.