Punimet në Bypass-in e Tiranës kalojnë 30%, Karakaçi: Projekt strategjik për qarkullimin kombëtar

28 Jul 2026 14:58
Shpërndaje:

Punimet për ndërtimin e Bypass-it të Tiranës po avancojnë me ritme të mira, ndërsa deri më tani është realizuar mbi 30% e volumit fizik të punimeve në dy fazat e para të projektit.

Bypass-i i Tiranës është një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në vend, me një gjatësi prej 21 kilometrash, dhe parashikon ndërtimin e një rruge të kategorisë A (rrugë ndërurbane kryesore).

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, së bashku me drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Ami Kozeli, inspektuan nga afër ecurinë e punimeve në kantier.

Reklamë Ola

Karakaçi e cilësoi bypass-in si një projekt strategjik, pasi do të lidhë autostradën Milot–Thumanë–Kashar me segmentin Kashar–Lekaj, pjesë e Korridorit Adriatiko-Jonian, si dhe autostradën Durrës–Tiranë me autostradën Tiranë–Elbasan, pjesë e Korridorit VIII, duke shmangur kalimin e trafikut nëpër qytetin e Tiranës.

“Në fakt është ndër kantieret më strategjike që kemi, sepse bën ndërlidhjen ndërmjet korridorit Adriatiko-Jonian, Thumanë-Kashar dhe më pas Kashar-Lekaj, si dhe lidh autostradën Tiranë-Durrës me autostradën e Elbasanit, duke shmangur hyrjen në qytetin e Tiranës”, u shpreh ministri.

Reklamë InterMedika

Ai theksoi se projekti është hartuar duke marrë në konsideratë edhe nevojat e komunitetit, pasi parashikon ndërtimin e rrugëve lokale për të garantuar aksesin e banorëve dhe bizneseve në të dyja anët e segmentit rrugor.

Nga ana e tij, drejtori i ARRSH-së, Ami Kozeli, deklaroi se punimet po ecin sipas planit dhe synimi është që projekti të përfundojë edhe përpara afatit të përcaktuar në kontratë.

“Ecuria është mjaft pozitive. Në këtë kontratë janë përfshirë një sërë veprash arti, si tombino, kanale kulluese, mure mbajtëse prej betoni dhe me fasadë gabioni, si dhe një urë me gjatësi 53 metra lineare dhe tre hapësira drite”, tha Kozeli.

Aktualisht, në të dyja fazat e projektit po punohet paralelisht për ndërtimin e trupit të rrugës dhe realizimin e veprave inxhinierike, me synimin për ta përfunduar sa më shpejt një nga nyjet më të rëndësishme të rrjetit rrugor kombëtar.