Koronavirusi/ Gati dozat e para të vaksinës “made in Italy”, nga 24 gushti nis eksperimentimi tek 90 vullnetarë
“Kanë mbërritur në Institutin Spallanzani dozat e para të vaksinës të bëra në Itali dhe nga 24 gusht ne jemi gati për eksperimentimin tek njeriu”. Kështu ka deklaruar këshilltari për shëndetësinë i Rajonit të Lazios, Alessio D’Amato, duke deklaruar se “Spallanzani po përfundon kërkimin për vullnetarë për eksperimentimin”.
Guvernatori Nicola Zingaretti, njoftoi në Facebook se vaksina “do t’iu bëhet 90 vullnetarëve”.
Vaksina, njofton Rajoni i Lazios, ka kaluar tashmë teste preklinike të kryera si në ‘in vitro’ ashtu edhe ‘in vivo’ tek kafshët, “që kanë evidentuar përgjigjen e fortë imune të shkaktuar nga vaksina dhe profili i mirë i sigurisë”.
Ditët e fundit, erdhi dhe aprovimi i eksperimentimit nga komiteti kombëtar i etikës në Institutin Spallanzani në Romë, dhe tani mund të fillojë faza 1 e eksperimentimit njerëzor të platformës italiane të vaksinimit, në të cilin kanë bashkëpunuar INMI dhe Këshilli Kombëtar i Kërkimeve, i cili u mundësua nga financimet e Ministrisë së Kërkimit Shkencor dhe rajoni i Lazios dhe u mbështet nga Ministria e Shëndetësisë.
Vullnetarët për vaksinat nga 18 deri në 85 vjeç
Eksperimentimi i dozave të vaksinave kundër Covid të mbërritura në Spallanzani do të bëhet tek mbi 90 vullnetarë të ndarë në dy grupmosha: 45 midis 18 dhe 55 vjeç dhe të tjerët midis 65 dhe 85 vjeç. Secili grup do të ndahet në tre nëngrupe prej 15 personash, secilit prej të cilëve do t’i jepet një dozë e ndryshme vaksine.
Drejtori shëndetësor: Jemi në fillim të përfundimit të kësaj beteje
“Sot kanë mbërritur në Spallanzani dozat e para të vaksinës që do të testojmë duke filluar nga 24 gushti. Është një emocion i madh intensiv”. Kështu ka deklaruar drejtori shëndetësor i Spallanzanit në Romë, Francesco Vaia.
“Ne e ndiejmë si Institut ndjenjën e përgjegjësisë, vëmendjes dhe shpresës që italianët kanë vënë tek ne, në klinikat tona, tek studiuesit tanë”, – shtoi ai.
Nga Spallanzani vjen edhe një mesazh i një optimizmi të kujdesshëm.
“Apeli ynë për të mos pasur frikë është bashkuar me atë për të mos ulur kurrë kujdesin. Sot ne kemi ndjesinë, aq foshnjore, të të qenit në fillim të përfundimit të kësaj beteje të hidhur dhe të ashpër, që populli italian ka luftuar për ca kohë. Ne do të fitojmë!”, deklaroi Vaia.
Eunews.al