KE po punon për kornizën e bisedimeve me Tiranën dhe Shkupin



Komisioni Europian tashmë po punon për
përgatitjen e kornizës për fillimin e negociatave te anetaresimit me Shqipërinë dhe Maqedonine e Veriut, pasi liderët e BE-së i hapën dritën jeshile muajin e kaluar, konfirmoi zëdhënësja e Komisionit Europian, Ana Pisonero.
“Komisioni tani është duke përgatitur propozimet për kornizat e negociatave me Shqipërinë dhe MV, të cilat do të pasqyrojnë parimet ku bazohen negociatat. Komisioni planifikon t’i prezantojë së bashku me raportet për zgjerimin”, deklaroi Pisonero.
Për shkak të krizës së koronavirusit ende është e pasigurt se kur do të publikohen
këto raporte, megjithëse pritet të jenë këtë pranverë.
Data e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, me të cilën shënohet hapja e kapitullit të parë të negociatave, duhet ta dakordojnë vendet anëtare të BE-së pasi ta miratojnë kornizën negociuese.
”Qëndrimi i Komisionit Europian është se kjo duhet të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur, pasi të miratohen kornizat negociuese”, thotë Pisonero.
“Procesi i zgjerimit është i fuqishëm dhe i bazuar në merita. Komisioni pret që reformat në të dy vendet të vazhdojnë”, theksoi ajo.
Eunews.al

