Kandidimi i Berishës, Braçe: I denjë për deputet në Gërdec ose Bulevard
Zëvendëskryeministri Erion Braçe komentoi sot deklaratat e kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Bashën, i cili deklaroi se “ish-kryeministri Sali Berisha do të kandidojë si deputet i Partisë Demokratike në zonën që do të dëshirojë ai”.
Braçe ironizoi punën e komisionit të vlerësimit të kandidatëve që PD ka zgjedhur për verifikimin e të gjithë emrave që duan të kandidojnë në zgjedhje, duke thënë se ‘profesorët’ e këtij komisioni janë sa për sy e faqe për të bërë sa më ‘demokratik’ procesin e përzgjedhjes të personave që do vetë kryedemokrati.
Zv/kryeministri përmendi disa nga ngjarjet më të bujshme ndër vite me të cilat është e lidhur edhe figura e Sali Berishës, si shpërthimi i Gërdecit, vrasja e 4 protestuesve në bulevard apo marrëveshja e detit me Greqinë në 2009, duke thënë se këto janë zonat që do i shkonin ish-kryeministrit Berisha të kandidonte si deputet.
“Ja kaq ishte. Vrasësi nuk e vret dot kurrë urdhërdhënësin. Përkundrazi, urdhërdhënësi mund të qërrojë edhe vrasësin! Por deri atëherë, janë të detyruar të jenë bashkë, kudo ku te dojë ‘AY’! Tani a e mbani mend ate komisionin që ishte risia e madhe e demokratike me profesora famozë që do bënte pastrim? Vate! Ai ishte për te fshehur kunatin, për ta bërë më demokratik procesin kunati”, tha Braçe.
Braçe tha se “tani profesorat kanë një detyrë: T’i gjejnë zonën Sali Berishës! Kaq”.
“A ju japim një dorë? Unë them të kandidojë në Tropojë! E ka pastruar tani duke vrarë e varrosur dhjetra kundërshtarë! Por mendoj edhe Gërdecin. Aty mund të jetë edhe garanti më i afërt për biznesin e boronicave në pritje të rikthehet për t’u marrë me bombat metalike që kanë mbetur! Po edhe në Sarandë mund të jetë! Aty e duan të gjithë, imagjinoni, i vetmi pas Skënderbeut, ky shtoi territorin shqiptar në Sarandë! Por jam i bindur se Sali Berisha do ishte fiks si deputet në Bulevard! Ay është unik aty, është i vetmi që nga fashizmi që ka pushkatuar kundërshtarë aty! Si mendoni ju?”, tha Braçe.
Eunews.al