Irani i paraqet SHBA-së një propozim të ri për uljen e tensioneve, në fokus rihapja e Ngushticës së Hormuzit
Irani i ka dorëzuar Shteteve të Bashkuara një propozim të ri me synim uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme dhe rihapjen e Ngushtica e Hormuzit, një nyje kyçe për tregtinë globale të energjisë.
Sipas raportimit të Axios, oferta është përcjellë përmes ndërmjetësve pakistanezë dhe synon të zhbllokojë situatën e tensionuar në marrëdhëniet mes dy vendeve, duke hapur rrugë për një deeskalim të mëtejshëm në rajon.
Burime pranë procesit bëjnë të ditur se propozimi përfshin hapa konkretë për uljen e përplasjeve dhe krijimin e kushteve për një marrëveshje më të gjerë, që mund të ndikojë edhe në përfundimin e konfliktit aktual.
Megjithatë, një nga pikat më të ndjeshme të ofertës mbetet kërkesa e Teheranit për shtyrjen e negociatave mbi programin bërthamor. Sipas propozimit, diskutimet për këtë çështje duhet të pezullohen përkohësisht, deri në një fazë të mëvonshme.
Ky kusht pritet të jetë një nga pengesat kryesore për arritjen e një marrëveshjeje të shpejtë, pasi programi bërthamor i Iranit mbetet një nga shqetësimet më të mëdha për Uashingtonin dhe aleatët e tij.
Zhvillimi vjen në një moment kur tensionet në rajon mbeten të larta, ndërsa çdo përpjekje për dialog shihet si thelbësore për shmangien e një përshkallëzimi të mëtejshëm.







