I dërguari në NATO, Whitaker: SHBA do të ruaj prani të fortë ushtarake në Evropë
Shtetet e Bashkuara do të ruajnë “prani të fortë” në Evropë, përfshirë edhe në krahun lindor të NATO-s, tha Përfaqësuesi i Përhershëm i SHBA-së në NATO, Matthew Whitaker, në rrjetin social X pas njoftimeve për tërheqjen e 700 trupave amerikane nga Rumania.
Ai theksoi se Rumania ka “demonstruar aftësi dhe përgjegjësi në rritje” gjatë viteve të fundit, ndërsa SHBA-të “mbeten të përkushtuara ndaj Rumanisë, si një aleat i besuar i NATO-s, një partner strategjik jetësor dhe një forcë lëvizëse për sigurinë në Evropë”.
“Prania jonë e fortë në Evropë dhe angazhimi ynë i qëndrueshëm ndaj saj mbetet i palëkundur, përfshirë mbështetjen për Eastern Sentry”, shkroi i dërguari.
Më parë, Uashingtoni ka informuar Ministrinë e Mbrojtjes Kombëtare të Rumanisë për planet për të zvogëluar kontingjentin amerikan të vendosur në vend me rreth 700 trupa, tha ministria në një deklaratë.
Ministri i Mbrojtjes i Rumanisë, Ionut Mosteanu, tha se vendimi pasqyron zhvendosjen e Uashingtonit “drejt rajonit Indo-Paqësor”.







