×
Saturday, November 1, 2025

Humbi zgjedhjet parlamentare me diferencë të vogël, lideri i ekstremit të djathtë pretendon se kishte parregullsi në numërim

October 31, 2025


Lideri holandez i ekstremit të djathtë, Geert Wilders, pretendoi se kishte “parregullsi” në zgjedhjet parlamentare, pak minuta pasi rivali i tij kryesor, Rob Jetten i partisë së qendrës D66, shpalli fitoren me një diferencë të ngushtë.

Agjencia holandeze ANP, e cila po regjistron dhe publikon rezultatet, raportoi më parë se partia e Wilders (PVV) nuk mundi ta ngushtonte diferencën me D66, pasi vetëm disa vota kishin mbetur për t’u numëruar.
Wilders më pas postoi një mesazh në platformën X ku thuhej se më shumë se 100 vota nuk ishin regjistruar në Maastricht, duke sugjeruar se e njëjta gjë kishte ndodhur edhe në komuna të tjera. Në një mesazh tjetër, ai pretendon se 15 kuti votimi plot me fletë votimi janë zhdukur nga Zaanstad, pranë Amsterdamit.

“Ka një ortek mesazhesh të këtij lloji, nga i gjithë vendi. Nuk e di nëse e gjithë kjo është e vërtetë, por do të ishte mirë të hetohej”, tha Wilders.
Një tjetër mesazh thoshte se pronari i kompanisë HackDefense, e cila ishte ngarkuar të testonte softuerin e numërimit të votave, ishte anëtar i partisë D66 të udhëhequr nga Geert Wilders.
“A është i saktë ky mesazh?”, pyeti Wilders.
HackDefense e testoi softuerin në vitin 2021 dhe 2023, në zgjedhjet e mëparshme, të cilat Wilders i fitoi, sipas faqes së internetit të Komisionit Zgjedhor. Për zgjedhjet europiane të vitit 2024 dhe zgjedhjet parlamentare të së mërkurës, Komisioni Zgjedhor ia ka dhënë testimin një kompanie tjetër.
Votat e një zone zgjedhore dhe holandezëve që jetojnë jashtë vendit ende duhet të numërohen. D66 është përpara PVV me një diferencë shumë të vogël për 15,155 vota.
Rezultatet përfundimtare zyrtare do të shpallen të premten e javës së ardhshme.




Comments are closed.