Hoxha takohet me homologen austriake: Austria, mbështetëse e palëkundur e Shqipërisë drejt BE-së

01 Sep 2026 09:18
Shpërndaje:

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, është takuar me ministren e Jashtme të Austrisë, Beate Meinl-Reisinger, në kuadër të Forumit Europian në Alpbach.

Gjatë takimit, Hoxha i shprehu homologes austriake mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Austria i ka dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Europian.

Në bisedime u vlerësua gjithashtu roli i Austrisë në nxitjen e perspektivës europiane të Ballkanit Perëndimor, përfshirë angazhimin e saj në kuadër të grupit të “Miqve të Ballkanit Perëndimor”.

Reklamë Ola

Një tjetër çështje në fokus ishte bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve. Hoxha theksoi se marrëdhëniet në këtë drejtim janë më të forta se më parë dhe se Austria vazhdon të jetë një prej investitorëve strategjikë në Shqipëri.

“Partneriteti ynë ekonomik është më i fortë se kurrë dhe Austria mbetet një nga investitorët kryesorë strategjikë në Shqipëri. Së bashku diskutuam mënyrat për ta zgjeruar më tej këtë gjurmë në fushat me interes të përbashkët”, deklaroi Hoxha pas takimit.

Reklamë InterMedika

Sipas ministrit, marrëdhëniet e ngushta mes Shqipërisë dhe Austrisë reflektohen edhe në sektorin e turizmit, me një numër në rritje të vizitorëve austriakë që zgjedhin Shqipërinë çdo vit.

Hoxha dhe Meinl-Reisinger diskutuan gjithashtu zhvillimet gjeopolitike në Europë dhe në nivel global, si dhe sfidat e reja të sigurisë.

“Shqipëria dhe Austria qëndrojnë së bashku në avancimin e stabilitetit rajonal, forcimin e rezistencës ndaj kërcënimeve hibride në zhvillim, përfshirë FIMI-n, dhe kontributin për një Europë më të fortë, më elastike dhe të bashkuar”, deklaroi Hoxha.