Von der Leyen solidaritet me Gjermaninë pas incidentit në Leipzig: Rusia po përpiqet të mbjellë frikë, por do të dështojë

01 Sep 2026 20:27
Shpërndaje:

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka shprehur solidaritetin e plotë të Bashkimit Europian me Gjermaninë pas incidentit në aeroportin Leipzig/Halle, për të cilin autoritetet gjermane kanë akuzuar Rusinë.

Von der Leyen deklaroi se BE-ja do të qëndrojë e bashkuar përballë veprimeve të Moskës dhe do t’i kundërvihet çdo përpjekjeje për të cenuar sigurinë dhe stabilitetin në Europë.

“Ne do ta mbajmë BE-në të bashkuar, pavarësisht këtyre akteve në rritje dhe serioze”, shkroi presidentja e Komisionit Europian në rrjetet sociale.

Reklamë Ola

Sipas saj, veprime të tilla synojnë të krijojnë pasiguri dhe frikë brenda shoqërive europiane, por nuk do të arrijnë të ndryshojnë qëndrimin e Bashkimit Europian.

“Rusia po përpiqet të mbjellë mosbesim dhe frikë në shoqëritë tona. Por do të dështojë. Dhe ne do të qëndrojmë përkrah Ukrainës për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, shkroi Von der Leyen në X.

Reklamë InterMedika

Presidentja e Komisionit Europian bëri të ditur se gjatë mëngjesit kishte zhvilluar një bisedë me kancelarin gjerman Friedrich Merz, me të cilin kishte diskutuar incidentin në aeroportin Leipzig/Halle.

“E sigurova atë se BE-ja qëndron në solidaritet të plotë me Gjermaninë përballë këtij sulmi nga Rusia”, deklaroi Von der Leyen.

Reagimi vjen pasi autoritetet gjermane deklaruan se Rusia qëndron pas incidentit të 4 gushtit në aeroportin Leipzig/Halle, ku u zbulua një dron i pajisur me një mjet shpërthyes pranë avionëve ukrainas të transportit. Moska i ka mohuar akuzat për përfshirje.

Von der Leyen njoftoi se çështja do të diskutohet edhe me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, ndërsa priten konsultime mes ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së.

Në këto konsultime pritet të shqyrtohet reagimi i mëtejshëm europian ndaj incidentit, përfshirë mundësinë e vendosjes së sanksioneve të reja ndaj Rusisë.