Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, ka vlerësuar angazhimin, profesionalizmin dhe përkushtimin e efektivëve të Policisë gjatë një takimi të zhvilluar me drejtues dhe punonjës të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier.
Hita theksoi se mënyra se si efektivët reagojnë në situata ku rrezikohet drejtpërdrejt jeta e qytetarëve duhet të shërbejë si model për të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit.
Në mënyrë të veçantë, drejtori i Policisë vlerësoi ish-shefin e Stacionit të Policisë Roskovec, komisar Mariglen Koroveshaj, të cilit i akordoi gradën policore “kryekomisar”. Koroveshaj do të vijojë tashmë detyrën në strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat.
Vendimi, sipas Hitës, lidhet me ndërhyrjen e Koroveshajt në një ngjarje të rëndë, ku një vajzë ishte marrë peng nga ish-i dashuri i saj, pasi ky i fundit kishte vrarë më parë prindërit e saj.
“E mora këtë vendim pa asnjë hezitim, sepse edhe Marigleni veproi pa hezitim për t’i shpëtuar jetën një vajze, e cila u mor peng nga ish-i dashuri i saj, pasi ai kishte vrarë më parë prindërit e saj. Në një prej situatave më të vështira me të cilat mund të përballet një punonjës policie, ai tregoi profesionalizëm, kurajë dhe përgjegjësi të lartë”, u shpreh Hita.
Sipas tij, efektivi zgjodhi komunikimin dhe negocimin për menaxhimin e situatës, duke arritur të krijonte kontakt me autorin dhe të mundësonte shpëtimin e vajzës.
Drejtori i Përgjithshëm vlerësoi gjithashtu punën e efektivëve në dy operacione të tjera. Njëri lidhet me kapjen e autorit të dyshuar të vrasjes së një 20-vjeçari portugez në Ksamil, i cili u kap teksa udhëtonte i fshehur në bagazhin e një automjeti. Rasti tjetër lidhet me kapjen e autorit të vrasjes së nënës dhe plagosjes së babait të tij në Lushnjë.
“Në të dyja rastet, rezultati ishte produkt i punës në grup, i koordinimit dhe i profesionalizmit të punonjësve të Policisë, veçanërisht të efektivëve të Forcës së Posaçme ‘Shqiponja’”, deklaroi Hita.
Ai kërkoi që reagime të tilla të shërbejnë si shembull për të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit, duke theksuar se efektivët duhet të jenë të pranishëm aty ku qytetarët kanë më shumë nevojë.
“Ky është misioni ynë dhe jam i vendosur të vlerësoj çdo punonjës policie që bën më shumë se detyra për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve”, theksoi drejtori i Policisë.
Në shenjë vlerësimi për punën e kryer, me propozim të Drejtorit Vendor të Policisë Fier, efektivët e angazhuar në këto operacione do të shpërblehen secili me nga një pagë mujore.
Hita kërkoi në përfundim që puna e Policisë të jetë e përditshme, profesionale dhe e orientuar në mënyrë të vazhdueshme drejt mbrojtjes së jetës, pronës dhe sigurisë së qytetarëve.


