Prokurorët spanjollë kanë raportuar një rritje të rasteve të sulmeve seksuale në Ceuta, pas fluksit masiv të emigrantëve nga Maroku në fund të muajit korrik, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se gratë dhe fëmijët në situata të pasigurta janë veçanërisht të ekspozuar ndaj dhunës.
Kryeprokurorja e Ceutës, Silvia Rojas, bëri të ditur se janë regjistruar 23 raste sulmesh seksuale, nëntë prej të cilave kanë pasur si viktima fëmijë.
Në një prononcim për gazetën spanjolle “El País”, Rojas tha se vajzat emigrante përballen me një rrezik veçanërisht të lartë për shkak të statusit të tyre të pasigurt dhe kushteve në të cilat ndodhen në territor.
Situata në Ceuta u përkeqësua pas hyrjes masive të rreth 72 mijë emigrantëve nga Maroku më 30 dhe 31 korrik. Shumica janë kthyer, por rreth 5 mijë persona vazhdojnë të qëndrojnë në enklavën spanjolle.
Sipas autoriteteve, mes tyre ndodhen rreth 1,400 deri në 1,600 fëmijë, shumë prej të cilëve të pashoqëruar. Kjo situatë ka shtuar shqetësimet për sigurinë dhe mbrojtjen e të miturve.
Ditët e fundit janë regjistruar gjithashtu tensione dhe përplasje mes emigrantëve dhe banorëve vendas, duke e kthyer menaxhimin e situatës në një sfidë të rëndësishme edhe për qeverinë e kryeministrit Pedro Sánchez.
Agjencia spanjolle e lajmeve Efe raportoi se mes personave të dyshuar në lidhje me sulmet seksuale janë katër shtetas marokenë, tre spanjollë dhe një belg. Të dhënat tregojnë se personat e dyshuar janë të kombësive të ndryshme, ndërsa hetimet për rastet vijojnë.
Kryeprokurorja Rojas paralajmëroi se numri real i rasteve mund të jetë më i lartë, pasi shumë viktima nuk kanë paraqitur denoncime zyrtare. Sipas saj, frika dhe pasiguria që lidhet me statusin e tyre në Ceuta mund t’i pengojnë viktimat t’u drejtohen autoriteteve.
Shoqata Spanjolle e Epidemiologjisë ka kërkuar që dhuna ndaj grave të mos trajtohet si një fenomen i izoluar apo të lidhet vetëm me krizën e emigracionit, por të shihet në kuadër të një problemi më të gjerë social.
Ndërkohë, situata ka intensifikuar edhe përplasjet politike në Spanjë. Qeveria e Sánchez po përballet me kritika nga opozita për mënyrën se si ka menaxhuar fluksin masiv të emigrantëve, ndërsa partia e djathtë ekstreme Vox e ka akuzuar kryeministrin se ka humbur kontrollin mbi situatën në Ceuta.
Sánchez, nga ana tjetër, ka shmangur akuzat e drejtpërdrejta ndaj Marokut për organizimin e fluksit të emigrantëve. Kryeministri spanjoll ka deklaruar se nuk ka raporte të inteligjencës që të tregojnë se autoritetet marokene kanë qenë të përfshira drejtpërdrejt në organizimin e hyrjeve masive në territorin spanjoll.


